Prokuroria Speciale konfirmon bastisjen në Ministrinë të Bujqësisë, zyrtarët dyshohen për keqpërdorim të detyrës

20 mars 2025 | 15:46

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka konfirmuar bastisjen në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas Kozmaqit bastisja është kryer pas raportimeve lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK e që tash është nën menaxhimin e Ministrisë.

“Ju informoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në mbështetje të nenit 83 par. 1 të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, me qëllim të verifikimit të pretendimeve apo dyshimeve të ngritura në opinionin publik për veprimet e disa zyrtarëve publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, tani nën menaxhimin e Ministrisë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DhKEK) në Prishtinë, që të kryejë veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të çështjes”, ka thënë ajo për “Express”.

Ajo ka shtuar se zyrtarët e MBPZhR-së dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Sipas raportimit të “Kohës”, shteti ka paguar 66 mijë euro për heqjen e mobilieve nga secila prej 33 hapësirave të ndërtesës së Ministrisë së Bujqësisë ku e kishte selinë AAK-ja, në bodrumin, katin e dytë dhe korridoret e objektit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF), Armand Duka…