Prokuroria Speciale miraton kërkesën e serbit për të ftuar Kurtin si dëshmitar lidhur me akuzat për krime lufte
Prokuroria Speciale e Kosovës ka miratuar kërkesën e mbrojtjes për të intervistuar kryeministrin Albin Kurti në cilësinë e dëshmitarit lidhur me dyshimet për krime lufte nga Dragisha Millenkovic.
Avokati i të dyshuarit, Dejan Vasic, ka njoftuar sot se Kryeministri Kurti është ftuar për të dhënë dëshmi dhe i janë dorëzuar pyetjet që do t’i parashtrohen gjatë intervistës.
Ai ka shtuar se Kryeministri Kurti ka qenë informuar zyrtarisht për kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka se pret për një përgjigje pozitive nga ai.
“Meqë, prokuroria ka aprovuar kërkesën për dëgjim të kryeministrit Albin Kurti në cilësinë e dëshmitarit, sot e kam dorëzuar një kërkesë të re përmes së cilës e kam njoftuar kryeministrin që prokurori special e ka miratuar kërkesën që të ftohet si dëshmitar, dhe i kam lënë të dhënat e mia, nëse ka nevojë që unë të takohem me kryeministrin për përmbajtjen e dëshmisë së tij. I kam dorëzuar edhe pyetjet që për mua janë të rëndësishme për të marrë përgjigje nga dëshmitari, dhe mendoj që intervistimi do të mund të zgjasë rreth 15 minuta”, ka deklaruar Vasic, raporton Zëri.