Prokuroria Speciale në Hagë e përshkruan si viktimë civile rektorin e dhunshëm serb të Prishtinës
Prokuroria e Specializuar në Hagë, gjatë shpalosjes së aktakuzës kundër katër krerëve të UÇK-së, në procesin gjyqësor që ka filluar sot në Hagë, ka përmendur sulmin ndaj rektorit serb të Universitetit të Prishtinës, Radivoje Papoviq.
“Ai nuk ishte objektiv legjitim ushtarak. Ishte civil dhe u vu në shënjestër për veprimtaritë e tij në sistemin arsimor”, deklaroi Prokuroria.
Sulmi ndaj Paoviq kishte ndodhur në vitin 1997, me ç’rast ai kishte mbetur i plagosur, dhe duket e çuditshme se si Prokuroria e Specializuar në Hagë e ka futur në narracionin e saj akuzues këtë përderisa aktakuza kundër katër krerëve të UÇK-së përfshin periudhën 1998-1999.
Radivoje Papoviq ishte emëruar si rektor i dhunshëm i Universitetit të Prishtinës pas masave dhe organeve të dhunshme që u imponuan në Universitetin e Prishtinës me vendim të Kuvendit të Serbisë më 27 qershor 1991 (publikuar në “Slluzhbeni gllasnik RS”). Me atë rast, nga detyra e rektorit të Universitetit të Prishtines ishte shkarkuar dhunshëm rektori shqiptar, Skënder Karahoda.
Radivoje Papoviqi ishte po ashtu anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të SPS-it, partisë së Slobodan Milosheviqit.
I mbështetur nga aparati shteteror i Milosheviqit, rektori Radivoje Papoviq deboi studentët dhe profesorët shqiptarë nga fakultetet, bibliotekat dhe konviktet e Universitetit të Prishtinës.
Në pozitën e rektorit, Papoviqi qëndroi deri në fillimin e luftës në Kosovë më 1998, kurse paraprakisht ishte organizuar atentati ndaj tij më 16 janar 1997, ku ai dhe shoferi i tij mbetën të palgosur pas shpërthimit të bombës së vendosur në veturën e tij.
Sipas nje versioni të lëshuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, bomba ishte vendosur nga vetë regjimi i Milosheviqit, sepse Papoviqi e kishte kundërshtuar Marrëveshjen Milosheviq-Rugova per kthimin e studentëve shqiptarë në objektet shkolle të Universitetit të Prishtinës.
Në kohën sa ishte rektor, Papoviqi e emeroi Sheshelin si profesor në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë që studentët shqiptarë i quante “monstrumë armiqesorë”.
Racizmi i rektorit të dhuneshëm Papoviq do të dilte në pah edhe kur deklaroi se “shqiptarët janë një popull që kanë bërë alfabet vetëm në vitin 1915, prandaj nuk e meritojnë të mësojnë në gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës”.
Kur ishte pyetur nga gazeta “Jedinstvo” për masat e dhunshme ndaj studentëve shqiptare, rektori Papoviq do të deklaronte se i vinte keq vetëm që nuk kishte zbatuar masa edhe me të dhunshme ndaj studentëve shqiptarë.
Në vitin 2004, ai u emerua nga Qeveria serbe si rektor i universitetit paralel serb që funksiononte në veri të lumit Ibër. Këtë pozitë e mbajti deri në vitin 2006.