Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj zëdhënësit dhe asamblistit të LV-së

08 nëntor 2023 | 16:06

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje Arlind Manxhuka dhe asamblistit të kësaj lëvizje në Prishtinë, Egzon Azemi.

Manxhuka dhe Azemi  akuzohen për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

“Të pandehurit A.M dhe E.A., duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘Facebook’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh dhe gjyqtarit M.B, lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P.”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Pra, bëhet fjalë për siç është thënë nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit ndaj një prokurori dhe një gjyqtari, në lidhje me ndryshimin e masës së paraburgimit, të ish-policit Dejan Pantiq.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve me inicialet A.M, E.A, Q.E dhe E.Z.

Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër dy të pandehurve AM dhe E.A është ngritur për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Ndërsa, kundër të pandehurve Q.E dhe E.Z është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, pasi që të njëjtit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit A.Sh dhe M.B.

Gjithashtu, të pandehurit AM dhe E.A. duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh dhe gjyqtarit M.B, lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se tre milionë…