Prokuroria Speciale planifikon t’i drejtohet gjykatës për kryeministrin Albin Kurti
Ndonëse nuk ishte paraqitur dy herë për të dhënë dëshminë e tij për ‘rastin e rezervave shtetërore’, kryeministrit të vendit Albin Kurtit i është bërë thirrja për herë të tretë që të paraqitet në objektin e Prokurorisë Speciale – për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit.
Edhe hera e tretë për Prokurorinë ka rezultuar njëjtë si dy thirrjet paraprake, pasi kryeministri i vendit nuk i është përgjigjur pozitivisht edhe thirrjes së tretë për t’u paraqitur para prokurorëve të Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi e Valdet Gashi.
Më 06.01.2025 dhe më 08.01.2025 KALLXO.com ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale, lidhur me ftesën për kryeministrin Kurti, por nuk ka pranuar përgjigje.
Po ashtu KALLXO i ka dërguar pyetje edhe Zyrës së Kryeministrit Kurti të mërkurën, më 08.01.2025 dhe më 30 e 31 dhjetor 2024, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Sipas burimeve të KALLXO.com nga Prokuroria, thirrja e tretë i ishte bërë Kurtit rreth një javë para Vitit të Ri.
Burimet e KALLXO.com kanë konfirmuar se meqenëse tri herë nuk kanë marrë përgjigje pozitive nga dëshmitari, në këtë rast kryeministri Albin Kurti, prokurorët pritet që të procedojnë tutje – duke bërë kërkesë te gjyqtari i procedurës paraprake që i njëjti të sillet me detyrim për të dhënë dëshminë e tij.
Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, është planifikuar që procedimi për dhënien e dëshmisë së kryeministrit Kurti të bëhet pasi të mbahen Zgjedhjet qendrore, të cilat janë të parapara të mbahen më 09.02.2025, me arsyen që të eliminohen pretendimet se veprimet po merren për qëllime politike.
KALLXO.com kishte raportuar më 20.12.2024 se Prokuroria Speciale kishte dërguar një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në ‘rastin e rezervave shtetërore’, por Kryeministri ka ritheksuar gatishmërinë që Prokurorët t’i presë në zyrën e tij.
Burime brenda Prokurorisë Speciale i kishin thënë KALLXO.com se nuk e zbatojnë formën e kërkuar nga Kryeministri për intervistim, pasi veprimet e tyre ndërmerren në objekt të Prokurorisë.
Sipas burimeve të KALLXO.com, Prokuroria Speciale do ta përsëriste thirrjen për herë të tretë, të fundit, javën që vjen dhe nëse Kryeministri nuk i përgjigjet, do të kërkojë nga Gjykata një urdhër për ta sjellë atë me forcë në Prokurori.
Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë në emisionin “Rrjedha” me Rron Gjinovcin dhe Shkëlzen Gashin të transmetuar në KTV, më 29.12.2024, akuzoi kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj si “regjisor i kësaj situate”.
Kurti deklaroi se nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorisë.
“Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them ‘S’po vij’, te shohim tash a guxojnë ata të vijnë.” – tha Kurti.
Ai tutje tha se: “Pikërisht ky prokurori (Blerim) Isufaj, ky është regjisori i një pamjeje kur unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që Kryeministri hyn në Prokurori të intervistohet për një rast të korrupsionit. Aty nuk thuhet që si dëshmitar. Ky është qëllimi.”
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në Konferencën e fundvitit për media, më 30.12.2024, u përgjigj edhe në lidhje me deklarimin e kryeministrit Albin Kurti se ftesa për të dëshmuar i ishte dërguar nga Prokuroria, me qëllim që të bëhej lajm ndërkombëtar.
“Unë s’kam asgjë me askënd dhe, me thënë të vërtetën, as nuk e kam shiku çfarë ka thënë.” – u shpreh Isufaj.
Më 20.12.2024, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ka thënë KALLXO.com se ia kanë ritheksuar Prokurorisë Speciale gatishmërinë e Kryeministrit që t’i mirëpresë Prokurorët në Zyrën e tij për intervistim – duke i propozuar tri orare intervistimi, pas pranimit të thirrjes së dytë.
“Prokuroria Speciale ka përcjellë një ftesë të dytë, në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Për këtë, kemi propozuar tri orare të takimit. Një për sot dhe dy orare të tjera për javën tjetër.” – ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi Kryeziu.
Kryeministri Kurti është thirrur për t’u intervistuar nga Prokuroria si dëshmitar në lëndën “PPS.nr.62/2023”, në një rast që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar Kryeministrit të publikuar nga Kryeziu – përputhet me atë të rastit të rastit të rezervave shtetërore.
Më 11.12.2024 ishte bërë e ditur që kryeministri Kurti ishte ftuar për të dëshmuar, më 16.12.2024, nga Prokuroria Speciale.
Ndonëse ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë që kryeministri Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar më 16.12.2024, në ora 09:30, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi, në një deklarim para mediave kishte thënë se është informuar nga Kabineti i Kurtit se Kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit.
“Sot nga Kabineti i Kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot. Prokuroria Speciale, konform legjislacionit në fuqi, do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër.” – kishte thënë Kozmaqi.
Rasti i rezervave shtetërore
Të pandehur për rastin e rezervave shtetërore janë: Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi. Lipovica e Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar më 18.08.2023 nën dyshimin për veprat: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica e Hafiz Gara ishin liruar nga masa e paraburgimit me vendimin e Apelit më 31.08.2023, pasi të njëjtit gjendeshin nën këtë masë nga 19.08.2023.
Si e dyshuar lidhur me keqpërdorimet e rezervave shtetërore është intervistuar edhe ministrja aktuale e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari më 15.04.2024.
Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?
Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica e Hafiz Gara i ka ndihmuar ata – duke i krijuar kushtet, propozuar e siguruar fillimisht për negocim për furnizim me rezerva shtetërore.
Prokuroria ka thënë në Dosje se janë propozuar O. E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In, me seli në Gdynia, Poloni për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer. E më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica e Hafiz Gara me O. E. ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të Kontratave.
Prokuroria: Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit
Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në Dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv/sekretar i përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.
Kësisoj, sipas Prokurorisë, Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.
Në Dosje thuhet se më 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të Prokurimit, si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete”, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit. E më pas, duke u bazuar në një Vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë Vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022. Me këtë Vendim, sipas Prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e Prokurimit publik.
Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij Komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij Komisioni për Negocim me operatorin ekonomik “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e Komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe operatorit ekonomik, përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.
Dosja: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit
Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, Dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.
Në Dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, më datë 25 shkurt 2022 ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit, edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.
Gjithnjë, sipas Prokurorisë, kjo kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e Prokurimit publik. E më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni, i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit. Dosja vazhdon duke thënë se kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O. E., përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin këto produkte të rezervës shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar Kontratat me kompanitë në Turqi dhe Poloni për Furnizim.