Prokuroria Speciale shënjestron dy raste të reja ku përfshihen 47 persona, sekuestrohen prona, vetura e para
Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka bërë të ditur se ka shënjestruar dy raste të reja ku janë përfshirë 47 persona.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale në rastin e parë janë përfshirë 23 persona për veprat penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhoz”, “Fajde”, “Detyrim” dhe “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”.
Me këtë rast janë sekuestruar asete dhe mjete monetare, ndërsa janë ngrirë për periudhë afatgjate prona e xhirollogari bankare.
Sipas njoftimit të PSRK-së, në rastin e parë janë sekuestruar 7 banesa dhe 10.591 metra katror toka bujqësore / parcela, si dhe janë ngrirë xhirollogari bankare me vlerë 186.861 euro.
Po ashtu thuhet se janë sekuestruar katër vetura si dhe para kesh e pasuri të luajtshme.
Ndërsa, në rastin e dytë siç ka bërë të ditur PSRK-ja janë përfshirë 24 persona në vepra penale të ndryshme si “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë”, “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, “Shmangie nga tatimi” si dhe “Mashtrim në prokurim publik”.
“Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shenjëstrimin e krimeve të rënda, ku kanë shenjëstruar dy (2) raste të reja me dyzeteshtatë (47) persona të përfshirë”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.