Prokuroria Themelore e Gjakovës del me deklaratë për ngjarjen tragjike në Bretkoc
Prokuroria Themelore e Gjakovës ka njoftuar përmes një komunikate për medie se më 7 gusht, i dyshuari P.N., 43 vjeçar nga fshati Bitesh i Komunës së Gjakovës, ka shkuar në shtëpinë e familjes së bashkëshortes pas orës 21:00 në lagjen Bretkoc të Gjakovës dhe me armën e tipit kallashnikov ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, V.N., 40 vjeçe dhe vajzën e tij të mitur K.N, 9 vjeçe.
“I dyshuari është ndaluar me urdhër të kryeprokurorit Ali Selimaj, i cili së bashku me njësitë e policore rajonale ka dalë në vendin e ngjarjes rreth orës 22:00, me ç’rast është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes. Pas kërkimeve të shumta është gjetur edhe arma, me të cilën dyshohet se i dyshuari ka kryer aktin kriminal”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës.
Më tej në këtë komunikatë bëhet me dije se “Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave janë marrë nga zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të kryer autopsinë. I pandehuri është në ndalim dhe ndaj tij do të kërkohet të caktohet masa për sigurimin e tij në procedurë. Hetimet në vazhdim do të tregojnë se cili ka qenë motivi i vërtetë i këtij krimi makabër”, është theksuar në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës.
/Epoka e re/