Prokuroria Themelore në Gjilan në 2018-n ka kryer mbi 98 për qind të lëndëve

04 janar 2019 | 12:08

Prokuroria Themelore në Gjilan përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se gjatë vitit 2018 ka përmbushur me sukses detyrimet e saj kushtetuese dhe ligjore, për ndjekjen pakompromis të kryerësve të veprave penale, duke garantuar në të njëjtën kohë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. “Në vitin 2018, kjo prokurori ka treguar efikasitet të lartë të kryerjes së lëndëve, me mbi 98 për qind të vendosura dhe të dorëzuara në Gjykatën Themelore në Gjilan, ku në shkallën e kësaj përqindje të lartë, përveç ngritjes së aktakuzave, ka pasur edhe pushime të hetimeve dhe hedhje të kallëzimeve penale. Prokuroria Themelore në Gjilan, në tri departamentet e saj, Departamenti për Krime të Rënda, Departamenti për Krime të Përgjithshme dhe Departamenti për të Mitur dhe me gjithsej 17 prokurorë, përfshirë edhe Kryeprokurorin e saj, gjatë vitit 2018, ka pranuar 2,592 kallëzime penale, të natyrave të ndryshme, me gjithsej 3,255 persona, me ç’rast në vitin 2019 janë bartur vetëm 44 lëndë, me gjithsej 65 persona”, është theksuar një njoftimin për media.

Më tej në këtë njoftim thuhet se prioritet i rëndësishëm i veprimtarisë së Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka qenë dhe mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e në veçanti korrupsionit në nivele të larta dhe në sistemin e drejtësisë. “Gjithashtu, prokuroria ka qenë e përkushtuar edhe në kryerjen e kallëzimeve penale, përmes procedurave alternative siç janë: marrëveshjet mbi pranimin e fajësisë, ndërmjetësimet, pezullimet dhe propozimet për dhënien e urdhrave ndëshkimorë. Rezultate evidente, kjo prokurori ka pasur edhe sa i përket konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurive (sendeve) me të cilat është kryer vepra penale dhe pasurisë e cila është fituar me kryerjen e veprave penale”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti Florent Papuqi e ka lënë futbollistin e Kosovës për…