Prokuroria Themelore në Prishtinë organizoi trajnimin me temën ‘Dhuna në familje’
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka mbajtur trajnimin me temën “Dhuna në familje”, të organizuar nga koordinatorja për rastet e dhunës në familje, Shenaj Berisha, prokurore e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në mbështetje financiare nga OSBE-ja, me pjesëmarrje të bashkëpunëtorëve profesional të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe bashkëpunëtorë profesional të Prokurorisë së Shtetit.
Në këtë punëtori ka folur kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, derisa në cilësinë e ligjëruesve ishin prokurorja e kësaj prokurorie, Shenaj Berisha dhe Valentina Bejtullahu-Turjaka, zyrtare nacionale e programit, Misioni i OSBE-së në Kosovë, ndërsa trajtimin e rasteve të dhunës në familje nga Policia e Kosovës e ka përfaqësuar, major Tahire Haxholli.
Gjatë këtij trajnimi u diskutua për fenomenin e dhunës në familje, trajtimin e rasteve të dhunës në familje në procedura civile dhe penale, si dhe njoftimi i pjesëmarrësve të këtij trajnimi, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin e posaçëm për veprën penale “Dhunë në familje”, neni 248 të KPRK-së.
Në fund të këtij trajnimi u nxorën konkluzione për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe luftimin e kësaj dukurie negative, si dhe pjesëmarrësit e këtij trajnimi u pajisën me certifikata.
/Epoka e re/