Prokuroritë dhe gjykatat rrisin performancën në luftën kundër korrupsionit
Lëvizja FOL ka mbajtur të enjten një tryezë në të cilën është publikuar edhe raporti me titull: “Performanca e gjyqësorit dhe prokurorisë në luftën kundër korrupsionit për vitin 2017”.
Jeton Zulfaj, menaxher i programeve nga Lëvizja FOL, ka thënë se ky është edicioni i dytë i raportit “Përtej numrave”.
Ai ka thënë se sikurse vitin e kaluar edhe për vitin 2017, Lëvizja FOL ka bërë matjen e performancës së prokurorive dhe gjykatave në luftën kundër korrupsion.
“Për çdo ditë hasim termin korrupsion dhe sivjet ka qenë shumë i pranishëm për faktin që ka mbet kriteri i fundit për liberalizim të vizave. Në nivel qendror edhe prokuroritë edhe gjykatat kanë treguar përformancë pozitive në trajtimin e lëndëve të reja të korrupsionit duke zgjidhur më shume lëndë se sa kanë pranuar gjatë viti 2017”, ka thënë Zulfaj.
Sipas Zulfajt, raporti është statistikor dhe Lëvizja FOL është duke ofruar një pasqyrë për prokuroritë dhe për gjykatat që të shohin dhe të maten me vetveten, mirëpo raporti nuk mundet të tregojë se si janë zgjidhur lëndët.
Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, ka thënë se trendi i zgjidhjes së lëndëve është pozitiv dhe atë mbi 25 për qind. “Nuk ka asnjë dilemë se ne kemi avancuar, është rritur buxheti si dhe janë aprovuar 148 pozita shtesë vetëm për personel administrativ”, ka thënë Isufaj.
Në anën tjetër, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi ka thënë se ky këshill ka bërë përpjekje në luftimin e korrupsionit. “Si fillim kemi themeluar grupin punues dhe kemi hartuar planin e veprimit për lëndët e korrupsionit, që kanë të bëjnë me shënjestrimin, monitorimin dhe raportimin mbi statusin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë i ashtuquajtur mekanizmi përcjellës si dhe kemi krijuar grupin punues për lëndët e korrupsionit në përbërje të gjyqtarëve. Të dy këto mekanizma i shërbejnë KGjK-së dhe ofrojnë rekomandime të politikave në luftën kundër korrupsion”, ka thënë Idrizi.
Raporti i FOL-it ka konstatuar se në nivel qendror, prokuroritë kanë pasur një performancë pozitive dhe kanë ngritur perfromancën nga 130 për qind në 135 për qind në trajtimin e lëndëve të korrupsionit. Sipas këtij raporti, njëjtë edhe gjykatat kanë një performancë pozitive edhe në vitin 2017 më zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit, megjithatë gjykatat kanë një rënie të performancës kur krahasohen me vitin 2016 që ishte 122 për qind në 114 për qind për vitin 2017.
Më tutje, ky raport ka theksuar se keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar mbetet vepra më e përsëritur e korrupsionit, ku prej 826 personave nën hetime nga prokuroria, afër 90 për qind e tyre i përkasin kësaj vepre penale.
Po ashtu, ky raport ka theksuar se nëse korrupsioni shikohet përmes numrave, atëherë në vitin 2017 ka një rënie prej më shumë se 200 personave nën hetime nga prokuroria për korrupsion.
Nga 826 persona ndaj të cilëve kishte kallëzim penal për korrupsion në vitin 2016, ky numër ka rënë në 622. Ky numër është prapë i lartë duke treguar se korrupsioni mbetet prezent. Prokuroria Speciale ka pasur normën më të mirë të zgjidhjes së lëndëve për persona prej 323 për qind e ndjekur nga ajo e Prishtinës më 141 për qind.
Megjithatë edhe Prokuroria Speciale edhe ajo e Prishtinës vazhdojnë të kenë një numër të madh të lëndëve te bartura çka bënë që të vonohet drejtësia.
/Epoka e re/