Prologu i romanit “Arkivi i letrave të djegura”

20 dhjetor 2022 | 08:44

Në kujtimet e mia qyteza rrëzë bjeshkëve gjithmonë ka pasur një privilegj. Është një botë e vogël që rri sikur fle në një prehër malesh. Aty e kam kaluar kohën më të madhe të jetës dhe çdo detaj që lidhet me atë qytezë më krijon nostalgji, sepse aty ka rini, ka ditë me diell, ka hënë me yje, ka male me gjelbërim, ka fusha me livadhe, ka freski me lule, ka dashuri, ka nder, ka trimëri dhe ka krenari. Këto gjëra për mua kanë shumë domethënie. Por jo gjithmonë qyteza rrëzë bjeshkëve është aq e bukur dhe idilike. Në këtë qytezë ka diçka që është zhgënjyese: janë rrugët, janë ndërtesat pa vend, janë pyjet e dëmtuara, janë lumenjtë, është zilia që zakonisht krijohet mbi bazën e familjes, lagjes, katundit… Me këto të mira dhe të këqija, e mora guximin të shkruaj një libër për qytezën, edhe pse, siç thotë një shkrimtar i madh, në vendin tim nuk jetohet prej librit. Nuk dua të fsheh e as nuk premtoj më shumë sesa është i gatshëm vetë arkivi të më afrojë material për këtë libër. Po të jem i shtrënguar do ta pasuroj edhe me kujtime dhe rrëfime të të tjerëve sado që te ne kujtimet e tilla nuk lënë shumë përshtypje.

Me këtë aventurë i kalova netët dhe ditët e gjata duke u endur nëpër qytezë dhe nëpër katunde. Përveç atyre dokumenteve që gjeja në arkivin e qytezës, çdo ditë takoja njerëz të rinj dhe të vjetër që mbanin në mend sadopak ngjarje që kishin ndodhur ndër dekada në qytezë. Dhe sa herë që kthehesha në banesë i shpaloja ato shënime dhe rrëfime duke hyrë në atë botën e tyre të brendshme, për orë të tëra, ku gjithçka më dukej si një errësirë, që nuk i dukej asnjë fije drite. Kjo, çka është e vërteta, më ka bërë që herë-herë të kam dilema e mos ta njoh vetveten, sepse ditët më ngatërroheshin. Më dukeshin krejt të njëjta. Nuk kisha idenë se ç’ditë ishte? E diel apo e shtunë? Nuk e kisha idenë se në cilën ditë ia kisha filluar ta shkruaj librin me ato rrëfime dhe dokumente që gjeja në arkiv? Në cilën ditë e kisha gjetur dokumentin e parë? Thjesht, nganjëherë e diela më duket si e hënë, kur herët në mëngjes dilja nga banesa deri në rrugë për të shkuar në arkiv. Veç kur i shihja rrugët e zbrazëta e kuptoja se ishte ditë pushimi. Ditë e diel. I paskam ngatërruar ditët, i thosha vetes. Mirë që nuk e kuptonin të tjerët që e kisha ngatërruar të dielën me të hënën, të hënën me të martën… Mirëpo, me të gjitha këto, nuk jam penduar për asnjë çast pse po shkruaja libër për qytezën time; hiq mundimet, kjo punë më dha edhe kënaqësi edhe zhgënjim.

Në fakt, ato që i mësova nga arkivi shpesh më dilnin të përmbysura. Shumë ngjarje që i gjeja në arkiv, ose në biseda me qytetarë, paradoksalisht shpesh më dilnin të ngatërruara, të mjegulluara, të kthyera herë-herë me kokë poshtë. Megjithatë, dialogët me shokët e rinisë më ndihmuan t’i kthej mbarë. Të dukeshin interesante. Kështu shumëçka për qytezën mësova nga rrëfimet e njerëzve më shumë sesa nga dokumentet, sepse në asnjë kohë askush nuk ka bërë përpjekje për të mbajtur shënim për ato që kanë ndodhur në qytezë për dekada të shumta.

Në këtë kohë më kishin thënë se qyteza nuk ka arkiv, ose edhe e ka, por të dëmtuar deri në shfarosjen e dokumenteve, prandaj kisha frikë se po të shkruaja një libër vetëm me ato që m’i thonë të tjerë, të vërtetën mund ta shndërroja në rrëfime të imagjinuara. Në fantazi. Legjendë apo mit. Por kjo s’do të thotë se rrëfimet e dëgjuara prekin medoemos atë që e kam menduar. Gjatë kërkimeve pata përshtypjen sikur më thoshin: varfëria e arkivit nuk ndodhi rastësisht. Mbase, kur ikën pushtuesit serbë, ata plaçkiten dhe shkatërruan gjithçka, e pas tyre dikujt iu kishte kujtua ideja, disi e çuditshme, madje shumë e çuditshme: gjithçka që ka mbetur nga ai pushtet duhet të asgjësohet. Duhet djegur. Shteti i ri duhet të fillojë nga zero. Dhe, për çudi, diçka kështu kishte ndodhur. Kishte ndodhur nga besëtytnia se e gjithë ajo që ka ndodhur në të kaluarën, çfarëdo qoftë ajo, nuk na duhet. Nuk do të habi­tesha po të më thonë se djegia ka ndodhur kështu. Kjo ishte një sprovë e qartë se si me ata persona nuk ishin marrë seriozisht.

Dëshiroj të tregoj se ngjarjet për të cilat interesohesha kishin ndodhur disa dekada më parë, por në shënimet e mia ka disa hollësi rrethanore artistike që i përkasin anës letrare të rrëfimit. Kështu që për librin do të përdor: dosjet e gjetura në arkivin e djegur si dokumente të provuara, rrëfimet e njerëzve bashkë me gjuhën e tyre. Nuk dua të fsheh se i parapëlqej edhe rrëfimet e dashurisë.

M’u deshën disa ditë për ta kuptuar: kur kishte filluar mbretëria e vdekjes së arkivit dhe pse?! Pse arkivi i qytezës rrëzë bjeshkëve ishte i varfëruar? Në fund të fundit, një arkiv i varfër e kishte humbur magjinë e vet, sido­mos kur shkaku dhe shkaktarët s’u zunë në gojë fare, dhe njerëzit kishin mbetur gojëkyçur ndaj plaçkitësve dhe zjarrvënësve. Interesant. Kjo është aftësia e njeriut për të bërë keq sa herë që ka mundësi. Mund të ishte ide e gabuar, sipas meje, kur nuk e dimë: ç’ingranazh e lëvizi atë ide për të djegur gjithçka? Apo kishte diçka tjetër, që unë nuk e kapja dot? As kur disa individë mundoheshin të zhgroposnin prej biografive të tyre ndonjë damkë dhe të ma ngjitnin mua, duke më akuzuar se qenkam kthyer të hetoj diçka më të fshehtë dhe shumë më të rrezikshëm sesa historinë e qytezës. Unë atyre abstrakteve nuk u zë besë. Sepse e gjithë kjo ishte qesharake. Marrëzi! Një gjë pa rëndësi, sidomos kur kemi humbur gjithçka që është dashur ta dimë për të djeshmen. Kisha dëgjuar se politikanëve u intereson e sotmja, e shkrimtarëve edhe e shkuara. Popullit, të dyja.

Ndërkohë që unë kisha ëndërruar të shëtisja nëpër pyllin e arkivit, hasa në një botë të djegur ku prekja kufomat prej letre, e të tjerëve kjo gjë ua fuste frikën, ua zinte frymën, i bënte të ndiheshin të zbrazët. Sikur bënin gara të më frikësonin që ta braktisja arkivin. Megjithatë, gjëja më e çmuar për mua ndodhi. Me të gjitha ato vështirësi, me ato të meta e realizova dëshirën më të madhe të jetës: e shkrova librin për qytezën time.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, qeveria gjermane donte të…