Promovohen dy libra të Gani Sylajt pas vdekjes
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, janë promovuar të martën dy librat e Gani Sylajt të mbetura dorëshkrim, libri me tregime “Shenja e përkatësisë” dhe ai i kujtimeve, “Burg pas burgu”, vazhdim i librit “Ilegal viteve shtatëdhjetë”, që autori e botoi për së gjalli.
Në promovimin e këtyre dy librave u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së autorit Gani Sylaj.
I pari që foli ishte Jakup Krasniqi, koleg i autorit Gani Sylajt. Me këtë të fundit, Krasniqi ka qenë koleg në shkollë.
“Të dy librat që kem sot para vete kanë rrëfime që dëshmojnë përkushtimin e autorit së duhet thënë për frymën që formoi ai për tërë jetën e tij. Autori nuk arriti të botonte dy librat, por vetëm një libër. Na gëzon fakti se Ganiu la pas vete dy libra dhe disa shkrime që presin për botim. Latinët e lashtë kanë thënë se fjalët i merr era e shkrimet mbesin. Jam i bindur se secili lexues do të bindet se çfarë ishte një shtet i huaj. Me Ganiun nisem rrugën jetësore dhe aspak e lehtë, atë të mësuesisë. Ne që kemi qenë me vite në këto burgje e dimë se çfarë do të thotë libri në ato vende. Bota kishte parë djegien e librave dhe shteti policor i burgoste lexuesit”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se librat e përuruar sot dëshmojnë luftën e bijve shqiptarë për luftën për çlirim dhe për liri, dhe të cilat tregojnë jetën e vështirë të atdhetarëve në burgjet e Serbisë.
Studiuesi dhe kritiku nga Tirana, Behar Gjoka, ka thënë se këto libra hyjnë në librat më të rëndësishëm për të përkujtuar të kaluarën. “Këto dy libra hyjnë në librat e rëndësishëm, sepse pa to nuk mund ta përkujtojmë të kaluarën. Po ta lexosh këtë libër është si të jetosh në ferr por ka edhe një dritë, ajo është liria”, ka thënë ai.
E profesor Ibrahim Gashi ka theksuar se autori ka përshkruar shumë më mirë vështirësitë në ato burgje dhe rrethanat e rënda të dhunës fizike e psikike të inspektorëve të UDB-së. “Librat e autorëve të veçantë për nga kontributi që kanë dhënë në lëvizjet kombëtare janë burimet më të vlefshme krahas dokumenteve për të shkruar historinë e atyre lëvizjeve. Autori i librit duke rrëfyer në vetën e parë, por duke folur më shumë për shokët e tij dhe rrethanat e rënda të dhunës fizike e psikike të inspektorëve të UDB, ka përshkruar shumë më mirë vështirësitë në ato burgje”, ka deklaruar Gashi.
Ndërkaq drejtori i Institutit Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshi, ka folur për autorin e librit Gani Syla, duke theksuar se autori me këtë libër identifikoi vuajtjet e qindra të burgosurve.
Ismail Syla, vëllai i autorit Gani Sylaj ka falënderuar të gjithë të pranishmit dhe u ndje mirënjohës për prezencën e tyre.
Për fund aktori i njohur Çun Lajqi fragmentoi një pjesë të librit “Burg pas burgut”.