Promovohen librat e Ethem Çekut “Shqiptarët 1830-1908” dhe “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912”

15 maj 2024 | 17:02

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, është bërë promovimi i dy librave të autorit Ethem Çeku, “Shqiptarët 1830-1908” dhe “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912”.

Në botim të Universitetit të Prishtinës doli nga shtypi libri “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912” i cili është botuar nga Universiteti i Prishtinës, respektivisht Fakulteti i Edukimit, si një kurorëzim i punës hulumtuese shumëvjeçare të profesorit Ethem Çeku.

Të pranishëm në këtë promovim ishin shumë figura të jetës politike e universitare të Kosovës dhe të viseve shqiptare.

Çka kanë thënë për librin:

Prof. dr. Muhamet Mala, Universiteti i Prishtinës

Autori ka arritur të sjellë një risi në historiografinë shqiptare dhe ta paraqesë në mënyrën shumë bindëse realitetin historik te atyre viteve të turbullta të ndikuara dhe të ndërlidhura nga interesa të shumta të faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm. Libri dallon për nga vlera edhe për faktin se përgjithësisht i përmbahet sensit krik dhe analizës shkencore, të shoqëruara me një elaborim te hollësishëm të materialit burimor dhe të literaturës, si mbështetje dhe dëshmi e seriozitetit shkencor.

Prof. dr. Božo Repe, Universiteti i Lubjanës

Studimi i profesor Çekut, ‘Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912” i ofron historiografisë kombëtare dhe ndërkombëtare një vështrim më të afërt të qëndrimeve dhe opinioneve të një historiani kombëtar. Ai i vë ngjarjet në kontekstin më të gjerë të të gjitha palëve të përfshira. Të kuptuarit e të gjithë faktorëve që kanë çuar në krijimin e shtetit shqiptar dhe më pas, shqiptarëve si komb, mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë situatën aktuale politike në Ballkanin Perëndimor. Libri i Çekut padyshim që do të jetë i dobishëm për këtë.

Guido Franzinetti Universiteti i Piemontes Lindore, Vercelli

Studimi i profesor Çekut, “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912” trajton atë që mbetet çështja kryesore e luftës së shqiptarëve për pavarësi: marrëdhëniet konfliktuale midis lëvizjeve kombëtare shqiptare dhe xhonturqve, por edhe marrëdhëniet me monarkitë ballkanike. Ky hulumtim ofron një perspektivë freskuese, të dokumentuar mirë dhe me një perspektivë të të shikuarit edhe më përtej të historisë shqiptare.

Dr. Anton Pançev Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski”

Punimi monumental i historianit Ethem Çeku, prezanton një periudhë vendimtare nga historia e popullit shqiptar: veprimtarinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vigjilje të krijimit të Shqipërisë. Ky hulumtim shkencor ka shumë merita, por duhet të theksohet se autori, në mënyrë kritike, i shqyrton mendimet, qëndrimet e historiografisë shqiptare për këto ngjarje, procese dhe personalitete. Prof. Çeku nuk heziton që t’i thyejë disa tabu dhe mite, të krijuara për arsye të ndryshme. Libri është shumë i pasur me fakte, por me rëndësi janë analizat e tij të shkëlqyera. Pikërisht analizat e autorit kanë krijuar një studim të veçantë me vlera të mëdha shkencore. Kemi të bëjmë me një studim që vë standarde tepër të larta për secilin hulumtues që do të punojë mbi këtë temë.

Prof. dr. Muhamet Shatri Instituti i Historisë

E veçanta e kësaj monografie është se, më shumë se asnjë publikim i kësaj natyre, bazohet në dokumente të dorës së parë të arkivave shqiptare, të vendeve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha, si dhe në studimet më të arrira të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Kjo i ka mundësuar autorit për ta konceptuar në mënyrë origjinale strukturën e monografisë dhe përmbajtjen e saj, duke pasqyruar në mënyrë të gjithmbarshme përballjen e popullit shqiptar me Perandorinë Osmane dhe me politikën ekspansioniste të shteteve ballkanike.

Dr. Igor Despot

Libri i Ethem Çekut – “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912” – paraqet një hap të rëndësishëm drejt kuptimit të lëvizjes kombëtare shqiptare deri te shpallja e pavarësisë. Libri rekomandohet me gjithë zemër për të gjithë lexuesit që duan të mësojnë më shumë për historinë e Ballkanit në periudhën para luftërave ballkanike, dhe veçanërisht për të gjithë ata që janë të interesuar për rrugëtimin e formimit të shtetit kombëtar shqiptar.

https://youtu.be/uG1GOwd_Zmk?si=1YBoxYPKNmFgoC1N

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadorja e Kosovës në Australi, Jetmira Bërdynaj, ka njoftuar se…