Promovohet kompleti i veprës “Islami nëpërmjet haditheve 1-7”
Organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës u bë promovimi i kompletit të veprës “Islami nëpërmjet haditheve 1-7”, projekt ky i iniciuar, përgatitur e redaktuar nga studiuesit më të njohur të shkencës së hadithit të DIJANET-it të Republikës së Turqisë.
Në këtë eveniment kulturor mori pjesë myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ambasadori i Turqisë në Kosovës, Çaĝri Sakar, atasheu për çështje fetare në Ambasadën turke në Prishtinë, Nevzat Sabri Arkin, personalitete të jetës kulturore, politike, profesor, imamë dhe nëpunës të Bashkësisë Islame,pedagogë, nxënës e student.
Një fjalë rasti për ta përshendetur këtë ngjarje kulturore e mbajti kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava i cili mes tjerash theksoi se veprën të cilën po e promovojmë sot, fillimisht është menduar që t’u shërbej lexuesve dhe besimtarëve turqisht folës.
“Mirëpo, kur u pa se kjo vepër u prit shumë mirë, u vlerësua nga kritika dhe pati jehonë dhe prezantim të suksesshëm në Turqi, DIJANETI, në bashkëpunim me bashkësitë fetare të rajonit, pra edhe me Bashkësinë Islame të Kosovës, vendosi që ta përkthej dhe ta botoj edhe në gjuhën shqipe, duke i ofruar kështu lexuesit shqiptar, e mbi të gjitha studiuesve, pastaj imamëve e studentëve tanë një vepër kapitale dhe vëllimore nga fusha e hadithit. S’ka dyshim se botimi i kësaj vepre për literaturën islame në gjuhën shqipe ka një domethënie të veçantë, sepse pas botimit të përkthimeve të Kuranit dhe “Sahihul Buhariut” në shqip, lirisht mund të thuhet se disiplinat islame tek ne nuk kanë realizuar ndonjë vepër të përmasave të tilla, e aq më pakë nga fusha e hadithit. Më lejon të theksoj edhe këtë se bashkëpunimi ynë me Dijanetin e Turqisë është i shumanshëm dhe në disa fusha, ku kemi realizuar një sërë projektesh madhore, në mesin e tyre pa dyshim bënë pjesë edhe botimi i veprës “Islami përmes haditheve” të cilën po e promovojmë sot”, ka thënë Tërnava.
Ai më tutje theksoi se duke i pasur parasysh gjithë këto, dhe sigurisht për shkak të metodologjisë së ndjekur dhe përmbajtjes së saj të bollshme e vëllimore dhe shumë të rëndësishme, kjo vepër duhet të jetë pjesë e pandashme e bibliotekave të hoxhallarëve tanë, dhe sidomos duhet të bëhet pjesë e literaturës së detyrueshme në medresetë dhe fakultetin tonë islam.
“Për këtë do të kujdesit dhe do të angazhohet Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila të gjitha Këshillat e saj e përmes tyre edhe imamët në nivel vendi, Medresenë dhe Fakultetin e Studimeve Islame, do t’i pajisë me veprën madhore “Islami përmes hadhitheve” “, ka thënë Tërnava.
Fjalë rasti mbajti ambasadori i Turqisë në Kosovës, Çagri Sakar si dhe oatasheu për çështje fetare në Ambasadën turke në Prishtinë, Nevzat Sabri Arkin.
Kurse fjalë promovuese mbajti kryeimami i Kosovës, prof. Sabri ef. Bajgoa i cili tha se kjo është vepër kapitale e një rëndësie të veçantë për studiuesit dhe imamët.