Promovohet libri “Bir i Atdheut”, kushtuar dëshmorit Naser Hajrizi
Karvanit të librave për dëshmorë, i është shtuar të enjten edhe një libër .
Veprimtari i njohur të çështjes kombëtare, një nga drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës në vitet ’70-’80-të të shekullit të kaluar dhe ish i burgosur politik, Mehmet Hajrizi, ka sjell librin për dëshmorin e kombit, Naser Hajrizi, i rënë në ballë të demonstratës së 2 prillit 1981, në qendër të Prishtinës, së bashku me shokun e idealit, Asllan Pirevën.
Libri, nëpërmjet një rrëfimi autentik, paraqet zhvillimet historike të fillimit të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar në Kosovë dhe jetën e veprën e dëshmorit, Naser Hajrizi.
Një pjesë e librit, ndërkaq, përmbledh kujtime për dëshmorin, nga bashkëveprimtarë të tij, shokë dhe të afërm.
Para ta pranishmëve të shumtë, për librin dhe për figurën e dëshmorit Naser Hajrizi, folën studiuesit Emin Kabashi e Prend Bushala, ndërsa në emër të shtëpisë botuese, një fjalë rasti mbajti Bajram Shatri.
Studiuesit Kabashi e Buzhala kanë paraqitur aspekte përmbajtjesore të librit dhe nëpërmjet tyre jetën dhe veprën e dëshmorit Naser Hajrizi, por edhe trajtuan zhvillimet politike të viteve ’70-’80-të të shekullit të kaluar.
“Është dëshmi historike, dëshmi e sakrificës se nuk ka atdhe pa gjakun për liri. Ky është libër për ata që ia falin jetën atdheut. Ai ishte shumë i ri për të vdekur, por nuk ishte shumë i ri për të rënë për liri. Naser Hajrizi nuk kishte dalë në protestë për të lëvduar dhe ngritur në qiell të tjerët, por kishte dalë në emër të lirisë, për popullin që ishte deri në grykë i robëruar”, ka thënë studiuesi Emin Kabashi.
Ndërsa publicisti Prend Buzhala, ka thënë se nëpërmjet këtij libri është treguar një pjesë kyçe e historisë shqiptare. Ai ka thënë se dëshmori Naser Hajrizi është shembull i një të riu që e donte atdheun.
“Ai është bir i atdheut. Ata nuk i kanë ikur orës së rrezikut por i kanë paraprirë me gjoksin përpara. Përkufizimi ‘Bir i Atdheut’ personifikon njerëzit që flasin të vërtetën, personifikon ata që e deshën atdheun pa kushte, pa masë”, ka thënë Buzhala.
Drejtori i shtëpisë botuese “Libri Shkollor”, Bajram Shatri, ka thënë se askush nuk do të mund të përshkruante më mirë veprën e dëshmorit Naser Hajrizi, se sa vetë Mehmet Hajrizi.
Kurse, autori i librit, Mehmet Hajrizi, veprimtar dhe drejtues i organizatës ilegale në të cilën militonte Naser Hajrizi, tha se frymëzimi për të shkruar librin “Bir i Atdheut”, ka ardhur nga vrulli i të rinjve të Lëvizjes Kombëtare të asaj kohe.
“Motivi kryesor që më ka frymëzuar është vrulli i të rinjve të lëvizjes kombëtare, përfaqësues i cili ishte edhe Naser Hajrizi, ndër dëshmorët më të rinj në kryengritjen e vitit 1981. Këta të rinj hynin në valët e trazuara të sistemit dhe formonin shpejt personalitetin e tyre, edukoheshin, kaliteshin e piqeshin para kohe. Viti 1981 i gjeti ata me këtë vrull rinor, por edhe me pjekurinë e të rriturit. Ky ishte ai kapital, forcë goditëse e kryengritjes së 1981”, ka thënë Mehmet Hajrizi.
Ndërsa, artisti Avdi Gërvalla, interpretuar disa poezi dedikuar dëshmorit Naser Hajrizi.
/Epoka e re/