Promovohet libri ‘Dëshmitar në kohë historike’ i akademik Rexhep Qosja
Akademik Rexhep Qosja ka promovuar të enjten librin e tij më të ri me titull “Dëshmitar në kohë historike”.
Në promovimin e këtij libri kanë marrë pjesë personalitete të botës akademike dhe publicistike. Libri i “Dëshmitar në kohë historike” nga të pranishmit në këtë promovim është cilësuar një dëshmi e historisë së pashlyeshme jo vetëm e Kosovës por dhe e Shqipërisë.
Autori i librit, akademik Rexhep Qosja, është shprehur i rezervuar për librin, duke thënë se të gjithë ditarët e tij janë shenjë falënderimi për popullin shqiptar. “Duhet të dini një gjë dhe unë ju kam nderuar dhe po ju nderoj. Ditarët e mi janë shprehje e nderimit tim për ju. Dhe jo vetëm e nderimit, por dhe e ndjenjave dhe mendimeve të paqasshme që kam unë për ju. Kur them për ju, them atij, të cilit i takojmë unë dhe ju bashkërisht, për popullin tonë”, ka thënë Qosja.
Për vlerën dhe rëndësinë e librit “Dëshmitar në kohë historike” ka folur edhe ish-kryediplomati i Shqipërisë, profesor Paskal Milo.
Duke iu referuar këtij libri, Milo ka thënë se kapacitetet e tilla si akademik Rexhep Qosja nuk i lindin shpesh kombit shqiptar. “Padyshim libri, sikurse u tha këtu, është një dëshmi e historisë. Madje, një dëshmi e pashlyeshme e historisë jo vetëm të Kosovës, por fare mirë mund të quajmë dhe një dëshmi për Shqipërinë dhe marrëdhëniet ndër-shqiptare. Por, mbi të gjitha, ky vëllim është për mua dhe nuk e teproj të them është një dëshmi e mendje kthjelltësisë së profesorit. Është një dëshmi që dëshmon se kapacitete të tilla intelektuale, morale nuk i lindin kombit shqiptar gjithnjë. Mua më mbetet detyrë të ripërsëris atë që kam thënë shpesh herë që shqiptarët kudo që janë duhet të kenë për nder që janë bashkëkohës të Rexhep Qosjes”, është shprehur profesor Milo.
Ndërsa, profesori tjetër, Agim Vinca, ka thënë se ditarët e akademik Rexhep Qosjes janë vepra të mëdha nga përmbajtja dhe kohëzgjatja. “Ky ditar është njëkohësisht dhe një histori e punës krijuese e punës krijuese të autorit. Në faqet krijuese të ditarit të gjitha vëllimeve gjejmë shumë të dhëna. Për lindjen, ngjizjen, botimin krijimin, kompozimin e veprave letrare dhe shkencore të shkrimtarit dhe kompozitorit Rexhep Qosja. Nuk mund të shkruhet jetëshkrimi i Rexhep Qosjes, biografia e tij, por as historia e Kosovës pa iu referuar këtij ditari”, ka deklaruar Vinca.
Në anën tjetër, drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, është shprehur se të gjitha vëllimet e këtij libri dëshmojnë kapacitetin intelektual të akademik Qosjes. “Vëllimi i tetë i kësaj kolone kronologjike e ofron këtë qasje në një mënyrë të veçantë sepse bën fjalë për kthesën më të rëndësishme të Kosovës. Kalimin e saj nga statusi i një province të robëruar në një vend, shtet të lirë. Ky vëllim bashkë me atë pararendës në planin e jetë shkrimit shënon dallimin ndërmjet Qosjes si mendimtar në fushën e dijës dhe politikës dhe Qosjes si veprimtar në institucionet zbatuese të politikës”, ka theksuar Matoshi.
Epitete intelektuale për autorin e librit “Dëshmitar në kohë historike”, Rexhep Qosja, ka pasur edhe themeluesi i shtëpisë botuese “Toena”, Fatmir Toqi, shtëpi kjo e cila ka botuar këtë libër.