Promovohet libri “Ekspozitë me ëndrra” i poetit Lulzim Tafa
Në kuadër të aktiviteteve të shumta që u organizuan në edicioni 27-të të Panairit të Librit në Tiranë, të shtunën, më 16 nëntor 2024, në orën 16:00, Shtëpia Botuese “Onufri”, promovoi librin me poezi të zgjedhura të poetit Lulzim Tafa, me titullin “Ekspozitë me ëndrra”. Përzgjedhjen e poezive e ka bërë Sali Bashota, ndërsa parathënien e ka shkruar Besnik Mustafaj.
Në fjalën e tij, shkrimtari Besnik Mustafa, tha: “Mendimi i parë që më erdhi, ishte se parathënien mund ta bëja thjesht duke shkëputur vargje apo strofa nga poezi të ndryshme dhe t’i bashkangjisja njëra me tjetrën, diçka e ngjashme me punën e artistëve bashkëkohorë për të krijuar instalacionet. Ishte një mundësi që ma jepte vetë lënda poetike, që kisha në dorë, përzgjedhur nga tetë libra të autorit, botuar në Prishtinë gjatë një periudhe 30 vjeçare”.
Duke i përmendur disa nga vlerat letrare, estetike, figurative etj., të poezisë së poetit Tafa, shkrimtari Mustafaj, ndër të tjera, e dalloi koherencën, një cilësi kjo fort e rrallë te poetët në përgjithësi, duke shtuar:” Koherenca, për të cilën po flas, është sigurisht çështje stili. Madje, burimin e ka te vetë thelbi i stilit, në kuptimin që i jep Aristoteli stilit, kur thotë se stili është vetë personaliteti i poetit”.
Në fund të fjalës së tij, Besnik Musfafaj, tha:”Poezia e kësaj përmbledhjeje jep arsye për një analizë shumë më të gjerë të shpalosjes së poetit Lulzim Tafa si i çliruar nga tabutë, apo, thënë me fjalët e Podrimjes si guximtar intelektual”.
Poeti dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Sali Bashota, i cili kishte bërë përzgjedhjen e poezive, tha: “Mbi tridhjetë vjetët e krijimtarisë poetike të Lulzim Tafës që janë paraqitur në tetë libra me poezi: “Gjaku nuk bëhet ujë” (1993), “Metaforë e pikëlluar” (1995), “Planeti Babiloni” (1997) , “Vdekja çon fjalë” (1998), “I kam edhe dy fjalë” (2012), “Shtini n’dhe këto fjalë” (2015), “Flirt” (2019) dhe “Rivali i Adamit” (2024), dëshmojnë për individualitetin e një poeti që udhëtimin e tij krijues e bën vetëm me zjarrin e poezisë në shpirt”.Prirja e tij kryesore, pra poezia, e ka krijuar ndjesinë shpirtërore për ta fuqizuar teknikën e tij shkrimore, duke depërtuar në shtresat semantike të tekstit poetik, si me idetë, motivet, temat, por edhe me përbërësit e tjerë. Që nga fillimet e tij krijuese, Lulzim Tafa, bën një lojë të shkathët poetike me fjalë të zgjedhura dhe me figura të bukura, madje bën një lojë magjike me gjuhën e tij poetike, në radhë të parë, për ta kapur esencën e ndjenjave kryetipore përbrenda ritmit të ideve dhe mendimeve në një udhëtim të sigurt, të zjarrtë e pasionant”.
Më tutje, Bashota tha poezitë e Lulzim Tafës për Nanën janë poezi antologjike, ndër më të bukurat, që hyjnë përbrenda hierarkisë së vlerave të poezisë së sotme shqipe, pikërisht me mrekullimin e magjisë së dashurisë për Nanën, në radhë të parë, përmes gjuhës, mendimit dhe figurës”.
Në vazhdim të fjalës së tij, Bashota, tha se “Lulzim Tafa edhe kur e përgatit ekspozitën e tij poetike me ëndrra, mendon për zhgjëndrrën dhe jetën. Në botën e tij letrare funksionalizohen gjithnjë idetë fundamentale. Poezitë “Ekspozitë me ëndrra”, “Ëndrra për kalorësit e botës”, “Pasaktësia e një ëndrre”, “Teoria e shpjegimit të ëndrrave”, “Tri pyetjet për shpjegimin e andrrave”, “Andrrat nuk janë si njerëzit” etj., sikur i nënshtrohen analizës dhe vlerësimit të poetit që ta projektojë ëndrrën më të bukur krijuese, mbase në themel të krijimtarisë së tij letrare. Në këtë mënyrë, prania e ëndrrës në poezinë e Lulzim Tafës është rishfaqje e dimensionit letrar, filozofik dhe psikologjik, e artikuluar në disa variacione”.
Në fund të këtij aktiviteti promovues, poeti Lulzim Tafa, pasi falënderoi të pranishmit, në mënyrë të veçantë botuesin “Onufri”- Bujar Hudhrin, pastaj shkrimtarët Besnik Mustafaj dhe Sali Bashota, lexoi vargjet e poezisë “Ekspozitë me ëndrra”: “Në galerinë e arteve/Së shpejti kam me e hap/Një ekspozitë me ëndrra/Dhe keni me pa/Si ka me i shky sytë/ Njerëzimi/Dhe ka me lu’jt mendsh/ Kritika”/.
Libri “Ekspozitë me ëndrra”, i poetit Lulzim Tafa, do të promovohet edhe në Prishtinë, dhe së shpejti mund ta gjeni në libraritë e Kosovēs.