Promovohet libri “Fitorja Diplomatike” i autorit Sabri Kiçmari
Në ambientet e Fakultetit Filozofik është promovuar libri “Fitorja Diplomatike” – kujtime nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i autorit Sabri Kiçmari, libër ky që dokumenton dhe pasqyron sferën diplomatike të shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Autori i librit ka paraqitur historinë me blloqet e shënimeve që ka mbajtur sa ishte përfaqësues diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rektori i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, ka thënë se autori i librit, Sabri Kiçmari, luajti një rol shumë të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka thënë se është nder që Kiçmari është kthyer në atdhe dhe jep kontributin e tij si profesor në Fakultetin Filozofik.
Sipas tij, historia dëshmon se populli shqiptar ka pasur gjithmonë trima të gatshëm për t’u sakrifikuar për të bërë më të mirën për vendin, porse tek në shekullin XX ndryshoi artikulimi i vlerave të luftës.
“Sot kemi një pjesë të kujtimeve për përfaqësimin diplomatik të luftës çlirimtare të Kosovës, sidomos në vendet e Evropës perëndimore, që është vetëm një segment i vogël sepse ka shumëçka të na thotë dhe të na ofrojë profesor Kiçmari”, ka thënë Dugolli.
Ndërsa vet autori i librit, Sabri Kiçmari, ka thënë se jo rastësisht është zgjedhur dita e sotme për promovimin e këtij libri, dhe vendi Fakulteti Filozofik, në shenjë respekti për djemtë dhe vajzat që kanë organizuar demonstratat e vitit 1981.
Tutje, ai bëri të ditur se në çdo takim që ka pasur me diplomatë të huaj, ua ka bërë të ditur se në rrafshin institucional nuk ka rrugë tjetër përveç rrugës së çlirimit.
Ai foli edhe për takimin me diplomatin gjerman Wolfgang Ischinger, që kishte ngjarë gjatë kohës sa nuk ishte zyrtarisht përfaqësues diplomatik i Kosovës.
“Na mblodhi Ischingeri, përfaqësuesit e të gjitha grupeve, kanë qenë përfaqësuesit e LDK-së aty, kanë qenë dhe përfaqësuesit e qeverisë Bukoshi, Mujë Rugova ka qenë aty. Dhe, ideja e tij ishte që të testojë shkallën e komunikimit që ne kemi me UÇK-në. Dua ta them këtu se fokusi i vëmendjes së tij nuk ishte LDK-ja dhe as Mujë Rugova. Fokusi i vëmendjes së tij ishte çka unë po them dhe përfaqësuesi i LPK-së që atë kohë ka qenë z. Ibrahim Kelmendi. Ka pasur edhe një komunikim interesant, kur ai (diplomati gjerman) më tha: ‘kur mendoni të fitoni’, i thashë: ‘ne kemi për të fituar’ dhe jemi shumë të sigurt dhe shumë të vendosur’. Unë dëshiroja të paraqes bindjen që nuk ka që e ndalë UÇK-në. Dhe ai më tha: ‘brenda 50 viteve të ardhshme me siguri jo’, e unë i thash: ‘kur ti të jesh ende në detyrë ne do të fitojmë’”, ka treguar Kiçmari bisedën me Ishinger.
Kiçmari u shpreh se dokumentet origjinale mbi të cilat është shkruar libri janë të ruajtura mirë, por theksoi se nuk është koha e duhur që të bëhet publike vendi i ruajtjes së tyre.
Tutje, ai tha se shumica e takimeve me diplomatë të huaj është bërë pa ndërmjetësues.
Vëmendje të posaçme autori u kushtoi raporteve me komandantin Fehmi Lladrovci.
“Mendoj që nuk ka pasur komandant më të dinjitetshëm se sa Fehmi Lladrovci për ta zëvendësuar Adem Jasharin, dhe këtë mendim e ruaj edhe sot”, ka theksuar ai.
Këtë bindje, Kiçmari bëri të ditur se e ka shkruar në mars të vitit 1998, teksa tha se ka ndarë pikëpamje të njëjta me komandantin Fehmi Lladrovci.
Ky libër është një përmbledhje ekskluzive e shënimeve të përfaqësuesit diplomatik të Kosovës gjatë kohës së luftës në Kosovë. (ksp)