Promovohet libri i Burgess “Inteligjenca artificiale”
Të hënën, më 19 korrik, në Prishtinë, në ambientet e Innovation Center Kosovo (ICK), u mbajt promovimi i librit “Inteligjenca artificiale” nga Matt Burgess, sjellë në gjuhën shqipe nga Botimet Lekë.
Në këtë promovim prezent ishte vetë autori Matt Burgess, redaktor digjital i përmbajtjes në prestigjiozen “WIRED UK”.
Atmosfera e ngrohtë që u krijua nga njerëzit e shumtë që ishin prezentë, pritjet në radhë për të marrë një firmë nga autori dhe interesi i madh i pjesëmarrësve për t’i bërë autorit pyetje, shënoi në mënyrën më të bukur promovimin e librit të parë të Botimeve Lekë.
Matt përmendi gjatë eventit disa nga pikat kryesore të librit, si raportet e dy liderëve kryesorë të inteligjencës artificiale, ShBA-së dhe Kinës dhe konkurrencën se kush do të jetë lideri suprem i IA-së.
U fol edhe për faktet se a do të zëvendësohen njerëzit nga robotët dhe se Inteligjenca Artificiale (IA), do e bëjë edhe më të vështirë të pikasen imazhet e rreme nga ato të vërteta.
Ky libër, botuar në mars të vitit 2021, është një nga udhërrëfyes më të mirë për inteligjencën artificiale, botuar nga WIRED. Është një udhërrëfyes i së sotmes për inteligjencën artificiale, që vjen në shqip tre muaj pas botimit origjinal.