Promovohet ‘Libri i luftës’ i autorit Nuhi Bytyçi
Është promovuar të dielën “Libri i luftës” i autorit Nuhi Bytyçi. Në këtë libër Bytyçi ka paraqitur përvojën dhe punën e tij dhjetëra vjeçare në gazetari.
Në promovimin e “Libri i luftës” është thënë se ky është libri i luftës për thyerjen e censurës në Televizionin e Prishtinës, për të vërtetën e Kosovës, luftës së UÇK-së, Kosovës së lirë, etj.
Pas shfaqjes së një film dokumentar, në këtë promovim fjalën e ka marrë recensenti i librit “Libri i luftës”, Bajram Kosumi, i cili ka thënë se Nuhi Bytyçi gjatë vitit 98 mungonte në Prishtinë, por nuk mungonte në Drenicë, Dukagjin, Llap dhe gjithandej ku luftohej.
Ai ka theksuar se si njeri Bytyçi ka rrezikuar shumë, jo vetëm vetveten e tij, por edhe familjen dhe miqtë e tij për gazetarinë në kohën e luftës.
“Libri i Nuhi Bytyqit ka një ligjërim pothuajse bisedor. Kjo do të thotë se është i këndshëm për lexim jo veç për historianin, jo veç për politikanin, jo veç për atë që ka kaluar në këto periudha, por për çdo lexues mesatar. Ata që kanë kaluar kur ta lexojnë librin do të përjetojnë shumë më detajisht, shumë më thellë periudhën që e kemi kaluar dhe ata të tjerët që nuk e kanë kaluar e që çdo ditë rriten më shumë, do të kuptojnë se si është e mundur që në periudha të caktuara, krejt fuqinë që e ka njeriu në jetë e fokuson vetëm në një çështje, në çështjen e lirisë, të gjitha tjerat janë të dorës së dytë”, është shprehur Bytyçi.
Ndërsa redaktori i këtij libri, Haqif Mulliqi, ka thënë se momentet më të mira për gazetarin, janë ato të kohës kur një popull e ka më së vështiri.
“’Libri i luftës’ na thotë se zëri i Nuhi Bytyçit është një zë i rrallë dhe i guximshëm në gazetarinë dhe publicistikën shqiptare në përgjithësi, prej më të veçantëve. Është ai zë që e tipizon gazetarin e mirë duke e shkëputur atë nga …., atë gazetar që lë gjurmë të pashlyer në jetën dhe historinë e njerëzve me punën e tij, është siç e shohim edhe në këtë libër voluminoz një zë kujtimesh, i cili tingëllon qartë në mjedisin nga i cili buro dhe të cilit i përket tërësisht, zë i pa mëdyshur dhe i pa ngulfatur nga kushdo që e mëtoi këtë dhe i cili dha jehonë për të tëra ato ngjarje, ndodhi dhe protagonistë për kohën e vet dhe brezat që do të vinë“, është shprehur Mulliqi.
Në anën tjetër, udhëheqësi i shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Dakaj, ka thënë se “Libri i luftës”, është i jashtëzakonshëm dhe kur mungojnë fjalët, pasi sipas tij ato i shpjegojnë ngjarjet nëpërmjet fotografive. Në këtë kontekst, ai ka thënë se një fotografi në këtë libër vlen sa një mijë fjalë.
“Pjesa më e madhe e librit është e mbushur me luftë, prandaj edhe quhet libri i luftës dhe është shkruar dhe botuar në shenjë nderimi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në shenjë nderimi dhe kujtimi për heronjtë, dëshmorët, martirët, viktimat civile, invalidët, veteranët dhe udhëheqësit politik, diplomatik dhe ushtarak të UÇK-së. ‘Libri i luftës’ është libër autobiografik, por edhe biografik”, ka thënë Dakaj.
Më tutje, autori i librit “Libri i luftës”, Nuhi Bytyçi, ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar gjatë luftës, por edhe ata që kanë kontribuar në botimin e këtij libri.
“Puna e gazetarit nuk është aspak e lehtë. Gazetari gjithmonë është në luftë për të vërtetën, në shërbim të së mirës së atdheut të tij dhe të njerizimit, në shërbim të publikut. prandaj unë kështu gjithmonë e kam kuptuar gazetarinë dhe në këtë frymë jam angazhuar me përkushtim në të gjitha kohërat. Në këtë ngjarje kam një mesazh si gazetar për liderët institucionalë politikë të Kosovës dhe Shqipërisë që t’i lënë interesat personale dhe partiake dhe të bashkohen në një front për punuar dhe vepruar në një front unik për të avancuar çështjen tonë kombëtare, sepse siç dihet çështja jonë kombëtare ende nuk është zgjidhur ashtu siç kemi aspiruar ne dhe shumë gjenerata përpara”, Është shprehur Bytyçi
Bytyçi ka theksuar se ajo që e ka motivuar që pas shumë vitesh pune ta finalizojë këtë libër është mbesa e tij, Riana Bytyqi, e cila më pas, para të pranishmëve recitoi një vjershë të shkurtër. /Kosovapress/