Promovohet libri ‘Lamtumirë Baca Adem’ i Selatin Novosellës
Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës ka promovuar të hënën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, librin “Lamtumirë Baca Adem” të Selatin Novosellës.
Libri botohet në shenjë kujtimi të 19 nëntorit të vitit 1958, konkretisht 60-vjetorit të burgosjes së parë të Adem Demaçit, nga organet shtetërore të ish-Jugosllavisë.
Libri përmbledhë shkrime të autorëve të ndryshëm, të shkuara pas vdekjes së Demaçit e deri më sot, duke përfshirë edhe ato të politikanëve prezantuar gjatë tubimeve apo aktiviteteve organizuar enkas për Mandelën e Evropës, telegrame të ndryshme, apo edhe vlerësim për Demaçin, etj.
Selatin Novosella, biografi i Demaçit, në një prononcim për “Kallxo.com” ka pohuar se qëllimi i botimit të këtij librit është që të shënohet burgosja e parë e Adem Demaçit e cila ka ndodhur pikërisht, siç ka thënë ai, si sot para 60 vjetëve, më 19 nëntor 1958.
Novosella ka thënë se qëllimi i këtij libri është edhe që të dëshmohet se Demaçi tërë jetën e tij prej 68 vjetëve barti gurin e sizifit në kurriz duke u shndërruar në një moaratonomak të rrugës, lirisë dhe çlirimit të Kosovës. “Ne të gjithë pasardhësit e tij, duhet të merremi me analizën, studimin e shkrimeve dhe jetës së tij pasi kjo do t’i shërbej Kosovës për të gjitha kohërat dhe gjeneratat”, ka pohuar Novosella.