Promovohet libri “LPK në vazhdën e përpjekjeve për bashkim – themeluese e UÇK-së”
Në ambientin e Institutit Albanologjik është përuruar libri për Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) dhe UÇK-në nga bashkautorët Sejdi Gega dhe Fazli Veliu.
Libri është vlerësuar lart nga të pranishmit duke thënë se ai tregon rolin që ka pasur LPK-ja dhe UÇK-ja në çlirimin dhe shtet-formimin e Kosovës.
Njëri nga drejtuesit e LPK-së, Rexhi Ibërdemaj, ka deklaruar se ky libër dëshmon se në radhët e kësaj lëvizje ka pasur gjithmonë mendje të ndritura të kombit që gjithë idealin dhe dijen e kanë vënë në shërbim të atdheut. “LPK dhe UÇK kanë pasur veprimtarë të punës dhe penës, këta kishin ideal dhe vetëdije të lartë që dijen e vuan në drejtim të atdheut”, ka thënë ai.
Ndërsa, veprimtari tjetër i LPK-së, Hydajet Hyseni ka deklaruar se ndër meritat e para të këtij botimi është se sjell në mënyrë kronologjike vazhdimësinë e historisë sonë kombëtare.
Sipas tij, LPK-ja ishte trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare dhe në kuadër të kësaj lëvizje ka pasur veprimtar të shquar. “Lëvizja jonë synonte bashkimin dhe ishte e bashkuar kur nuk ishte fizikisht e bashkuar”, është shprehur ai.
Kurse, Fatmir Arifi nga Instituti i Historisë, ka vlerësuar se ky libër ka një vlerë më të madhe se librat e zakonshme, ngase, sipas tij, aty gjenden në mënyrë autentike gjithë historia e Kosovës.
Bashkautori i librit, Fazli Veliu, ka deklaruar se ka qenë i nevojshëm botimi i një libri për LPK-në, pasi kjo lëvizje ka qenë gjithmonë për bashkim kombëtar.
Ndërsa, autori tjetër, Sejdi Gega është shprehur se falë bashkëpunimit me gjithë veprimtarëve të LPK-së fillimisht ka marrë gjithë dokumentacionin e punës së kësaj lëvizje në mënyrë që të botojë këtë libër.
“Autori i këtij libri është baca Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla e shumë veprimtarë të tjerë”, ka thënë ai.
Libri “LPK në vazhdën e përpjekjeve për bashkim – themeluese e UÇK-së” është botuar nga shoqëria “Lëvizja”./KosovaPress/