Promovohet libri ‘Pushteti dhe intelektualët’ në përvjetorin e 18-të të vdekjes së Rugovës
Është promovuar të dielën libri “Pushteti dhe intelektualët”, i botuar nga Fondacioni “Ibrahim Rugova”, në përvjetorin e 18-të të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës.
Ky libër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se kujton profilin e lartë të politikanit dhe intelektualit, Ibrahim Rugova.
“Fondacion ynë tashmë ka bërë një traditë në fushën e botimeve, duke u kujdesur, që ta ruajë, ta kultivojë dhe ta përcjellë tek breznitë e reja, mendimin politik, letrar e kulturor të Ibrahim Rugovës, duke e vlerësuar si një trashëgimi tejet e vlefshme, bazike, për të njohur Kosovën e djeshme dhe për t’u shërbyer prej saj për të ndërtuar Kosovën e nesërme. Ky libër, ka këtë funksion, dhe sikur vepra në tërësi e Presidentit Ibrahim Rugova, na kujton profilin e lartë të politikanit intelektual dhe intelektualit politikan, dhe na thërret të mendojmë sa të rëndësishme janë këto dy kategori kur bëhen një zë”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Më tutje, Abdixhiku ka thënë se Rugova “ishte më shumë se njëri, ai ishte një epokë”.
“Në të vërtetë, Rugova ishte një epokë dhe pas vete la një trashëgimi të pasur intelektuale dhe një trashëgimi politike, me rezultate të papërsëritshme e monumentale. Ati themeltar i shtetit të Kosovës, prijësi historik i popullit të Kosovës, themeluesi i Lidhjes Demokratike, formacionit të parë pavarësist; bartësi i lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, iku në amshim sot 18 vite më parë”, ka shkruar Abdixhiku.