Promovohet libri që dokumenton luftën e UÇK-së në Dukagjin
Në Deçan është promovuar libri i Fetnete Ramosaj me titull “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit-dokumente e raportime të luftës 1998-1999”.
Me këtë rast është thënë se autorja Fetnete Ramosaj, me këtë libër jep edhe një dëshmi për atë se çfarë ka ndodhur në luftën e fundit. Për librin e saj është thënë se është shkruar mbi bazën e dokumenteve autentike. Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili ka marrë pjesë në promovimin e këtij libri, ka thënë se luftëtarët nuk vdesin asnjëherë, sikurse autorja Fitnete Ramosaj, e cila ka ndërruar jetë në këtë vit.
“Luftëtarët nuk vdesin asnjëherë, sikurse Fetnetja. Sot jemi mbledhur që ta shënojmë një rezultat, një të arritur. Është sukses sepse bëhet fjalë për një femër, vajzë luftëtare. Është e rëndësishme me e cek se në UÇK ka pasur vajza. Të gjitha detyrat e luftës femrat në UÇK i kanë kryer. Fetnetja ka arritur t’i jep edhe suksese të tjera Kosovës, pra t’i jep dëshmi materiale që do t’i qëndrojnë kohës.
“Ka fotografi që studiuesit mund t’i shohin. Mund t’i themi sot faleminderit Fetnetes për këtë dhuratë që ia jep Kosovës, një periudhë të lavdishme të vendit. Të gjithë ata që kanë dëshmi ta faktojnë kohën e luftës, duhet ta bëjnë këtë”, ka thënë Haradinaj, duke ia ndarë familjes se Fetnete Ramosajt medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin për shërbimin ndaj atdheut.
Ndërsa kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë me dije se në ditën e lindjes së autores po promovohet libri i saj.
“Jemi bërë bashkë për të promovuar një vepër unike të një autoreje që po ashtu është unike. Të gjithë kemi një histori për të treguar, Fetnetja është unike se këtë histori e dokumentoi për ne. Fetnetja është unike ndër personalitetet, vepra është unikate e kësaj natyre, raportimi, dokumentet e paraqesin lavdinë e UCK-së. Është një libër që do t’i shërbejë historianëve”, Është shprehur ai.
Në anën tjetër, gjenerali Kudusi Lame, ka thënë se nëse dikush dëshiron t’i shërbejë atdheut nuk e ndalë as vdekja.
“Libri i Fetnete Ramosaj mban brenda vetës një histori të jetuar. Po bëhen 20 vjet që luftërat janë ndalur në trojet shqiptare. Fetnetja na tregon se çka ka ndodhur. Kjo luftëtare po e vazhdon luftën edhe përtej botës”, ka thënë Lame.
Kurse bashkëveprimtari i Fetnete Ramosajt, Rasim Selmanaj, ka thënë se bashkëpunimi dhe rrugëtimi me të janë kujtimet më të mira që ai i mban.