Promovohet libri “Unë e përdhunuara” e autores Ramize Murtezi-Shala
Në librarinë “Dukagjini”, të premten në Prishtinë, është promovuar libri “Unë e përdhunuara” e autores Ramize Murtezi-Shala.
Në këtë promovim morën pjesë personalitete nga jeta politike, e kulturës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ky roman i cili bazohet në një ngjarje të vërtetë, rrëfen betejën jetësore të një nëne të përdhunuar gjatë luftës bashkë me dy vajzat e saj njëra 10 e tjetra 7 vjeçare, e cila përveç se duhet të luftojë për të sjellë drejtësinë për të dhunuarat, për të thyer heshtjen rreth kësaj tragjedie, i duhet të përballet edhe me paragjykimet, etiketimet dhe përbuzjen.
Botimi i këtij romani është cilësuar si një kontribut më shumë për kujdes më të madh ndaj të dhunuarve gjatë luftës në Kosovës nga forcat serbe dhe një thirrje për institucione dhe shoqërinë për të bërë më shumë për gjitha ata që u përballën me dhunimin.
Gjatë promovimit ka folur Vasfije Krasniqi-Goodman, ku përmes një videolidhje ka përgëzuar autoren për botimin e këtij libri.
“Këtë libër duhet ta lexojnë të gjithë. Përmes këtij mësoj se çfarë përjetuan viktimat e dhunës seksuale. Dihet se serbët nuk bënë dallime në moshë gjatë krimeve të tyre”, tha ajo.
Me një fjalë rasti është paraqitur edhe prof. Rrahman Paçarizi, ambasadorja Vlora Çitaku, psikiatrja Mimoza Shahini dhe drejtoresha e KRCT, Feride Rushiti.
“Libri i Ramize Murtezi -Shala ka është një nga rrëfimet më të dhimbshme të luftës, është rrëfimi origjinal i kryepersonazhes së dhunuar gjatë luftës nga serbët bashkë me të bijat, Dritën dhe vajzën 7 vjeçe Jetën, e cila edhe kishte ndërruar jetë gjersa dhunohej. Pjesë e tij janë edhe të dhunuara të tjera në vend e raste të ndryshme të Kosovës”, ka thënë Paçarizi.
Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në SHBA ka pohuar se përmes këtij romani autorja ka dokumentuar një prej formave më të vrazhda që ka përcjellë luftën në Kosovë.
Ramize Murtezi-Shala, autore e librit, ka thënë se tragjedia e viktimave të dhunimit gjatë luftës nga serbët duhet të zbardhet plotësisht.
“Një zonjë e nderuar që unë e çmoj shumë ka thënë se nuk mund të shkruhet historia e luftës së Kosovës pas u shkruar edhe historia e dhunimeve seksuale të luftës”, ka deklaruar Ramize Murtezi-Shala.
Ajo ka treguar se ideja për promovimin e këtij libri ka ardhur nga puna që e ka bërë ajo dhe nga rrëfimet që i ka dëgjuar nga gra dhe burra të dhunuar.