Promovohet libri “Zoti në Kinema” i autorit Dritan Dragusha (foto)

12 maj 2021 | 18:35

Është promovouar libri “Zoti në Kinema” nga autori Dritan Dragusha, i cili paraqitet para publikut në frymen e një elaborimi filozofik, duke nxjerr në sipërfaqe ndjeshmëritë e tij karshi universit biblik – Zotit, i frymëzuar parasegjithash nga filma që kanë bërë histori në ekranet e mëdha.

Panelistë në promovimin e këtij libri ishin Ag Apolloni – botues, Blerim Shala – vështrues kritik dhe dritan Dragusha – autor, shkruan “Epoka e re”.

Ky libër është një platformë ideore dhe filozofike që trajton dhe trajtohet nga perspektiva e shiritit kinematografik, me idenë, për të qenë kryekëput më i lirë në shprehje.

Dragusha ka bërë një punim format shkencor që sendërtohet në gjuhen e eseut shkencor ndërsa mbështetjen e ka në muret e klasikeve kinematografik.

Në vargun e këtyre apostujve ishte dhe filmi “Kukumi” i Mehmet Krajës dhe Isa Qosjes.

Diskutimi rreth këtij libri nisi qysh në fillim në ambientin e ngrohtë të kafenesë Dit’ e Nat’, që ofron pamje mbizotëruese të librave të llojllojshme të cilat po njëlloj sikur të pranishmit, kishin rastin të dëgjonin hyrjen nga shkrimtari Ag Apolloni, i cili foli rreth nisjes së këtij libri që fillimin e gjeti nga shkrime të herë pas hershme por fundin e finalizoi me promovimin e tij ku reflektohet mbi filma nga një këndvështrim filozofik i autorit.

“Si origjinalitet i autorit është pikëpamja filozofike e tij. Këtu trajtohen disa filma të vlerësuar edhe nga të tjerë ku autori ndërton një teori të veten në raport me këta filma. Ai e sheh filmin dhe ashtu si e sheh e komenton. Titulli është mjaft goditës dhe në momentin kur kam dëgjuar atë kam qenë pro botimit sepse është një titull që nxit të tjerët ta lexojnë”, ka treguar Apolloni.

Publicisti dhe shkrimtari Blerim Shala tha se  libri ‘Zoti në Kinema’ i Dritan Dragushës mund të lexohet për një pasdite të qetë.

Sipas tij, rrëfimi i Dragushës, vjen në librin me titull joshës, ngashënjyes dhe provokues, nuk ka as fillim dhe as fund.

“Pra, libri ofron një ndalje, që është në kundërshti të plotë me lëvizjen dhe shpejtësinë tonë të vazhdueshme. Ndërsa, autori i ri-bën pyetjet dhe i ri-shfaq përgjigjet, për temat e përjetshme për vdekatarë, për tema të cilat vijnë nga amshimi, kalojnë në kohë dhe i kthehen sërish amshimit. Prandaj, sa të ekzistojë njeriu, do të ekzistojnë edhe këto tema që nuk kanë afat skadimi”.

“Në librin e tij ‘Zoti në Kinema’, pyetja se ‘A e ka krijuar Zoti njeriun apo anasjelltas’, ka një motërzim tjetër, interesant dhe të saktë: A është Zoti regjisori suprem, i cili e ka bërë këtë film të madh (të quajtur Jetë dhe Njeri), në të cilin ne të gjithë luajmë pa një skenar të qartë, pos që e dimë se në fund të këtij ‘filmi’ të gjithë vdesim, apo, ne jemi vetë regjisorë të filmit, ku Zoti është një vepër e jashtëzakonshme e jona filozofike, religjioze dhe artistike?”, ka thënë Shala.

në fund, fjalën e mori edhe vetë autori i këtij libri, Dritan Dragusha, i cili ka shpalosur rrugëtimin e tij rreth procesit të shkrimit.

“Për procesin e shkrimit unë frikësohem shumë sepse kur lexon shkrimtarë të cilët ne i lexojmë, filloj të frikësohem. Filmat që i kam shkruar janë një këndvështrim ndryshe i imi sepse mua në film më ndjek diçka, një moment i caktuar brenda filmit dhe atë e marr si bazë për të reflektuar mbi një fenomen ose për të shkruar një shkrim”, ka treguar Dragusha.

Sipas tij, karakteristikë e librit është heshtja që vjen nga Zoti ose që njerëzit e besojnë si të tillë ose edhe heshtja që vjen në raport me ‘zotninë’ sepse ka edhe trajtime të kësaj natyre. Duke qenë vokacioni përmes filozofisë, heshtja autorit i është dukur shumë më shumë aktive dhe vepruese se sa fjalët.

“Ka momente të tilla të cilat ekzistojnë dhe heshtjet ku ne si popull i kemi përjetuar sepse në vitet e ’99-ta, ne e kemi ditur se çfarë është të mos heshtësh. Një moment tjetër interesant është përshtypja që më është lënë se pse ekzistojnë ngjarjet e mëdha apo njerëzit e mëdhenj, në varësi të çka dhe në varësi të kujt”, ka thënë Dragusha.

Për autorin, ekzistojnë momente të caktuara të fundit që atij i lënë përshtypje dhe ai vendos ti trajtojë tutje. Disa nga to janë edhe pyetjet si: A do të ekzistonte Krishti po të mos ishte Juda?, A do të ekzistonte Avni Rrustemi pa Esat Pashë Toktanin?, e shumë të tjera që kanë të bëjnë me histori të ndryshme e të cilat pasojnë edhe në shkrime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
UEFA ka njoftuar së fundmi se është hapur zyrtarisht një…