Promovohet monografia kushtuar gazetarit sportiv Xhavit Kajtazi
Në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, u promovua monografia e autorit Veli Kajtazi, e titulluar “Xhavit Kajtazi, sporti, shtetndërtimi dhe jeta publike”, një vepër që i kushtohet gazetarit të mirënjohur të sportit Xhavit Kajtazi. Kjo monografi voluminoze ndriçon pesë dekada të zhvillimeve sportive në Kosovë, duke përfshirë shkrimet dhe kontributin e Xhavit Kajtazit që nga viti 1979 deri në 2023. Përmes kësaj vepre, autori synon të sjellë një panoramë të plotë të ndikimit të Kajtazit në sport, gazetari dhe letërsi, duke i dhënë vlerë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore vendit tonë.
Në promovimin e kësaj monografie morën pjesë figura të njohura të sportit dhe publicistikës. Autori i librit, Veli Kajtazi theksoi se kjo monografi synon të shërbejë si një burim i vlefshëm për studiuesit, studentët dhe të gjithë ata që interesohen për historinë dhe sportin në Kosovë. “Xhavit Kajtazi ka pasur një rol të veçantë dhe të spikatur për pesë dekada, duke kontribuar jo vetëm në gazetari sportive, por edhe në trajnim, muzikë dhe letërsi”, tha autori i kësaj monografie. Para të pranishmëve folën edhe Ismet Krasniqi, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Malësor Gjonbalaj, profesor në Fakultetin e Edukimit dhe Sportit, të cilët vlerësuan lart kontributin e Xhavit Kajtazit në gazetarinë sportive, por edhe si trajner i volejbollit.
Rrugëtimin e tij Xhavit Kajtazi e nisi si muzikant, për t’iu dedikuar më pas volejbollit, ku dha një kontribut të çmuar si lojtar dhe trajner. Ai ndihmoi brezat e rinj të volejbollistëve që sot janë emra të njohur të sportit në Kosovë. Përveç angazhimit të drejtpërdrejtë në sport, Kajtazi shkëlqeu si gazetar sportiv, duke ndikuar në zhvillimin e kësaj fushe përmes qindra intervistave, reportazheve dhe artikujve të tij. Në periudhën më të vështirë të pavarësimit të sportit të Kosovës nga ish-shteti federativ dhe kohën e okupimit nga Serbia, ai luajti një rol të rëndësishëm duke informuar publikun për zhvillimet sportive dhe sakrificat e sportistëve e gazetarëve të kohës.
Ndërkaq, pas luftës bashkë me vëllaun e tij Besimin, botuan për herë të parë gazetën e përjavshme sportive “Kosova Sport”, duke edukuar njëherësh një brez të ri të gazetarëve sportivë, të cilët sot janë emra të shquar. Të gjitha këto, të dokumentuara me saktësi, janë përfshirë në këtë monografi, e ku me shkrime kanë kontribuuar edhe gazetarë të shumtë sportivë. Në fund të ceremonisë, drejtuesi i shtypshkronjës “Lena Graphic”, Hajdar Fejzullahu ndau një plaketë nderi për Xhavit Kajtazin, duke e cilësuar atë si një figurë frymëzuese për brezat e rinj. Botimi i kësaj monografie u mundësua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.