Promovohet monografia “Shkollat dhe arsimi në Kërpimeh me rrethinë përgjatë kohërave”
Për nder të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, në Shkollën Fillore e Mesme e Ulët “Hamit Sejdiu” në Kërpimeh u përurua monografia “Shkollat dhe arsimi në Kërpimeh me rrethinë përgjatë kohërave”, nga autori tashmë i ndjerë Milazim Kadriu.
Në përurimin e monografisë morën pjesë ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu, familjarë të autorit të monografisë, ish-deputetë, veteranë të arsimit dhe mësimdhënës të shkollës.
Drejtori i shkollës “Hamit Sejdiu”, Qefser Behrami, ka falënderuar bashkëpunëtorët që ndihmuan për realizimin e kësaj monografie, e cila i mbeti ëndërr e parealizuar e autorit, mësimdhënësit të ndjerë të kësaj shkolle, Milazim Kadriu, por që për jetësimin e saj u angazhua i biri i autorit, Përparim Kadriu.
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka përgëzuar për punën e bërë për promovimin e monografisë, duke thënë se autori i saj, Milazim Kadriu, është i gjallë mes neve, nga fjala dhe përkushtimi i tij, edhe pse fizikisht nuk e kemi këtu.