Promovohet në Bern të Zvicrës romani “1803”
Romani “1803” i autorit shqiptar nga Vjena Besim Xhelili, pas promovimit nëpër disa qytete të ndryshme në Evropë, ndaloi në stacionin e radhës në “Zentrum5” në Bern të Zvicrës. Ky roman është botuar në gjuhën shqipe në vitin 2016, kurse në janar të 2018-s u botua në gjuhën gjermane dhe atë suedeze.
Me ftesë të Qendrës për Integrim “Zentrum5” në kryeqytetin e Zvicrës Bern, të cilën e udhëheq Brikela Andrea Nune, autori shqiptar nga Austria Besim Xhelili ka prezantuar para lexuesve romanin e tij me një tematikë interesante të dashurisë, me titull “1803”.
Ky aktivitet letrar dhe kulturor u bë në bashkëpunim me Shoqatën e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, ku në cilësinë e kryetarit i pranishëm ishte shkrimtari Dan Kosumi dhe të shoqatës “Përshefca”, e përfaqësuar nga kryetari Fadil Hasani dhe anëtari i kryesisë Bujar Imeri.
Me pjesëmarrjen e tyre e nderuan organizatorin dhe autorin, Fatmire Musliu nga Ambasada e Kosovës në Zvicër, krijues shqiptarë të sferave të ndryshme në Zvicër, artdashës dhe dashamirë të librit.
Në një bashkëbisedim me autorin mbi krijimtarinë e tij të deritanishme dhe me fokus tek romani në fjalë, Brikela me një shije të theksuar udhëhoqi bisedën e ngrohtë, duke përçuar tek të pranishmit një kërshëri për mysafirin para tyre.
Në anën tjetër Xhelili ka treguar për aktivitetet e tij në Vjenë të Austrisë, bashkëpunimet me krijuesit e tjerë në Austri, në vendlindje dhe në diasporë, dha disa informata mbi shoqatat e ndryshme shqiptare në Austri, për të dalë tek tematika e shtjelluar në romanin e tij me titullin e mjaft sekret “1803”.
Meqë moderatorja paraprakisht kishte lexuar romanin “1803”, si zakonisht pyetja e parë ishte nëse autori identifikohet me figurën kryesore në roman dhe çfarë do të thotë titulli i romanit.
Në përgjigjen e tij autori Xhelili u shpreh mjaft i përmbajtur, duke thënë se lexuesit do ta marrin vesh titullin në fund të pjesës së tretë të kësaj trilogjie, duke pasur parasysh se ai ka në përgatitje e sipër edhe dy pjesët e tjera, por pa dhënë ndonjë detaj se kur do të dalin nga botimi.
Ndërsa sa i përket asaj nëse ai identifikohet me personazhin kryesor,ai u shpreh se romani ka në fillim disa të dhëna autobiografike, por në përgjithësi materia në vazhdim është një pjellë e imagjinatës, ka disa gërshetime të reales dhe joreales, mirëpo përparësi i është dhënë mendimit të lirë dhe lirisë së shprehjes.
Për autorin me rëndësi është që romani ta argëtojë lexuesin, ta bëjë kureshtar të mendojë, të analizojë nëse e gjen veten diku tek ndonjë personazh dhe të pret me plot kënaqësi e kureshtje vazhdimin dhe përfundimin e ngjarjes me dy pjesët e tjera që ai ka në dorëshkrim.
Me dy melodi instrumentale me motive burimore shqiptare, këtë aktivitet e zbukuruan me gjallëri dhe ndjenjën e vendlindjes disa anëtarë të SHKA “Bashkimi” nga Berni.
Për fund u shtrua një koktej i vogël rasti dhe autori me shumë kënaqësi nënshkroi librat për lexuesit e tij. Promovimi i radhës i kësaj vepre në gjuhën suedeze do të bëhet më 19 maj 8 në Stockholm të Suedisë.
(Shkruan: Besim Xhelili – Bern/Vjenë, 7 maj 2018)