Promovohet në Prishtinë ‘Enciklopedia imagjinare’ e Bajram Kosumit
Pas Tiranës, libri më i ri i profesorit Bajram Kosumi është promovuar edhe në Prishtinë në Bibliotekën Kombëtare.
Për postromanin “Enciklopedia imagjinare” kanë folur tre profesorët dhe studiuesit e letërsisë, Agim Vinca, Mexhan Avdyli dhe Ag Apolloni.
Profesori Vinca ka thëna se ta lexosh “Enciklopedinë….” e Kosumit është sikur të hysh në një pyll të madh dhe të dendur ku në çdo hap sheh peizazh mahnitëse por edhe skena dhe pamje të frikshme.
“Enciklopedia imagjinare është një vepër që vlen të lexohet. Madje edhe të rilexohet si për shkak të përmbajtjes së saj ashtu edhe për hir të rrëfimit të shkathët”, ka vlerësuar Vinca.
Duke folur për librin, Merxhan Avdyli ka shpjeguar se cila do të jetë lidhja e lexuesit me “Enciklopedinë imagjinare”.
“Pse libri i Kosumit dhe çka paraqet ai? Shkrimi shembull, leximi i lehtë, kuptimi i kristalizuar dhe interpretimi i pavarur janë katër përcaktuarës themelorë të lidhjes së lexuesit me librin e Kosumit”, ka thënë Avdyli.
Sipas tij, Enciklopedia imagjinare është një konglomerat zhanror dhe krejt origjinal.
“Duke qenë libri i tillë, nuk ka asnjë dilemë se shtrirja e tij te lexuesit dhe te studiuesi i letërsisë, madje jo vetëm shqiptar në të ardhmen do të marrë kuptimin letrar përkatësisht kuptimin e modelit letrat “Libri i Kosumit””, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, profesori Ag Apolloni ka thënë se “Enciklopedia imagjinare” e ka elegancën e librit, elegancën e informacionit dhe elegancën e stilit.
Apolloni ka thënë se libri ofron shtigje të reja imagjinare të personaliteteve të njohura, situatave të njohura dhe fateve të njohura.
“Jep informacione për gjithçka që mund të dijë një autor ose një ekip. Në këtë rast kemi një autor që ka bërë punën e një ekipi dhe kjo mënyrë e shkrimit të një romani në formën dokumentare dhe imagjinare është has rrallë, shkruhet rrallë. Enciklopedia jep mundësi e leximit alternativ. E lexon një pjesë nga fillimi, mesi, fundi dhe prapë i kthehesh fillimit. Kemi faktet e dhëna dhe shpesh interpretimet ose variantet që dalin nga ato fakte”, ka vlerësuar Apolloni.
Autori i librit, Bajram Kosumi, ka shpjeguar se si 25-vjeçar nisi të shkruajë librin gjatë kohës sa ishte në burg i dënuar nga pushteti jugosllav.
“E vetmja kënaqësi, e vetmja dashuri përveç lirisë së Kosovës ka qenë kënaqësia ta shkruaj këtë libër”, ka thënë Kosumi, në fjalën para të pranishmëve.
“Enciklopedia imagjinare/Postroman”, filloi të shkruhet në qelitë e Burgut të Nishit gjatë viteve 1985-1986 dhe përfundoi në vitin 2022, në Prishtinë.