Promovohet projekti i bashkëpunimit ndërkufitar Gjilan-Kumanovë
Është promovuar projekti i bashkëpunimit ndërkufitar Gjilan-Kumanovë për “Treg të qëndrueshëm për produkte të freskëta të fermerëve”, projekt ky tashmë në finalizim i cili është mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE).
Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se me këtë projekt kanë ruajtur tregtarin dhe ekonominë familjare.
“Përkundër disa vështirësive, takimet tona të vazhdueshme me tregtarët dhe serioziteti ynë ka bërë që t’i bindim që tregu po bëhet për ta dhe qytetarët e komunës së Gjilanit. Me këtë projekt, ne kemi dëshmuar se e kemi ruajtur tregtarin dhe ekonominë familjare. Ne ua kemi lehtësuar shumë punën në këto ditë të sezonit veror. Në emër të kryetarit Haziri e falënderojmë BE-në për mbështetjen në këtë dhe projektet e tjera. Urime tregtarëve dhe qytetarëve”, ka thënë Ismajli.
Ndërsa, menaxheri i këtij projekti, Eroll Jonuzi, ka falënderuar Komisionin Evropian për mbështetjen e projektit në fjalë.
“Një falënderim i madh shkon për Komisionin Evropian që e mbështeti këtë projekt në vlerë prej 324 mijë euro, e që përkthehet me ndërtim të tregjeve në Gjilan, përkatësisht 100 shtande në tregun e gjelbër si dhe 30 shtande mobile në ‘Arbëri’, Përlepnicë e Dardani, ndërsa në Kumanovë, ndërtimi i pjesës së kulmit të tregut dhe tregut mobil me 20 shtande. Po ashtu, e falënderoj kryetarin Lutfi Haziri për mbështetjen e jashtëzakonshme që ky projekt ta shoh suksesin”, ka thënë Jonuzi.
/Epoka e re/