Promovohet raporti për vlerësimin e rrezikut nga shpëlarja e parave
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, përmes Projektit për Mbështetje të Përpjekjeve Kundër Korrupsion në Kosovë, (SAEK III), si dhe në partneritet me Njësitin e Inteligjencës Financiare të Kosovës, sot ka organizuar promovimin e raportit të ri për Vlerësimin e Rrezikut nga Shpëlarja e Parave dhe Financimi i Terrorizmit. “Hapi i parë për të trajtuar në mënyrë efektive problemin e shpëlarjes së parave është të kuptohen rreziqet me të cilat përballen sektorët si patundshmëritë, ndërtimtaria, sektori bankar dhe kriptovalutat.”
Përfaqësuesja e Përhershme e UNPD-së Maria Suokko, ka thënë se Kosova tashmë ka vlerësim të saktë të rreziqeve që mundë të vinë nga shpërlarja e parave. “Fatmirësisht, tani mund të themi se Kosova ka tashmë një vlerësim të saktë të këtyre rreziqeve, të mangësive në sektorët financiarë dhe jo-financiarë, si dhe një vlerësim të saktë të kërcënimeve të kriminelëve të cilën përpiqen të keqpërdorin kanale legjitime për të fshehur asetet e tyre të paligjshme”, u shpreh Suokko.
Kurse, zëvendësdrejtori i Njësitit të Inteligjencës Financiare të Kosovës, Behar Xhema, ka paraqitur objektivat e vendit. “Vlerësimi Kombëtar i Rrezikut është një vegël e rëndësishme që do të ndihmojë në përqendrimin e përpjekjeve kundër shpëlarjes së parave, edhe brenda sektorit publik por edhe atij privat. Tani zyrtarët për pajtueshmëri rregullative kundër shpëlarjes së parave brenda sektorit privat do të jenë më mirë të informuar për rreziqet e konsumatorit, derisa sektori publik do të përqëndrojë përpjekjet dhe burime në masat e përcatkaura për të adresuar kërcënimet e identifikuara me të cilat përballemi në Kosovë”, u shpreh ai.
Ngjarja ka për qëllim të prezantoj të gjeturat e raportit të parë të Vlerësimit të Rrezikut nga Shpëlarja e Parave dhe Financimi i Terrorizmit, të miratuar nga Qeveria në dhjetor të vitit 2020, para zyrtarëve për zbatimin e ligjit nga prokuroria, policia, administratat tatimore dhe e doganave, si dhe nga zyrtarët e sektorit privat.
Përfaqësuesit nga Njësitet e Inteligjencës Financiare nga Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Turqia kanë paraqitur komentet e tyre në këtë vlerësim poashtu.
Vlerësimi i Rrezikut poashtu analizon pikat e ndjeshme në luftimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit brenda gjashtëmbëdhjetë llojeve të bizneseve financiare dhe komerciale, si dhe, përcakton nivelin e kërcënimit për secilin prej tyre, sipas shtatëmbëdhjetë llojeve të veprave penale.
Bazuar në këto të gjetura, Njësiti për Inteligjencë Financiare, me mbështetjen e UNDP-së, po zhvillon tani një Plan Veprimi për të paraqitur masat të cilat do të përmirësojnë edhe më tutje rezultatet në luftën kundër shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizimit.
Hartimi i Vlerësimit të Rrezikut nga Shpëlarja e Parave dhe ky promovim mbështeten nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë si dhe nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), përmes Ambasadës Suedeze në Prishtinë.