Promovohet trilogjia për Skënderbeun nga Avni Dehari
Sot në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” është bërë promovimi i Trilogjisë së librave “Gjergjat në drita përkrenaresh” të autorit Avni Dehari i cili në vete përfshin romanet “Dragoi”, “Udhëkryqi”, dhe “Flakadanët e lirisë”.
Të pranishëm me rastin e përurimit të kësaj trilogjie ishin nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, drejtorë komunalë, asamblistë dhe nxënës të shkollave fillore.
Nënkryetari Mujka e ka vlerësuar lartë kontributin e autorit jo vetëm për çështje kombëtare por edhe interesimin e tij që gjeneratave të reja tu ofrojë një pasuri letrare mbi figurën historike të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, i cili duhet të jetë frymëzim për kombin dhe gjeneratat e reja.
Autori Avni Dehari është shprehur të jetë i lumtur që sot ndodhet në qytetin e Mitrovicës, ku në mesin e nxënësve, të cilëve edhe i dedikohet ky botim po bëhet edhe promovimi i kësaj trilogjie.
“Unë e kam bërë librin, por një punë shumë të madhe kanë bërë edhe organizatorët e këtij përurimi që kanë marrë përsipër jo vetëm ta botojnë këtë libër, por edhe ta shpërndajnë në biblioteka, shkolla, madje edhe falas, sepse libri ofrohet për fëmijë dhe të rinj dhe kjo më gëzon më shumë sesa ky libër të ishte shitur me miliona euro”, ka thënë autori i trilogjisë “Gjergjat në drita përkrenaresh”, Avni Dehari.
Dehari me mjeshtëri të rrallë përshkruan mesjetën shqiptare dhe epokën e heroit tonë kombëtar, ndërsa nxënësit do të kenë mundësi që falas të pajisen me këtë trilogji, është thënë me këtë rast.
“Brezat e tashëm dhe të ardhshëm të lexuesve të të gjitha moshave, veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë, do ta kenë më të afërt, më të gjallë dhe më kumbuese epokën e artë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut falë kësaj trilogjie”, ka thënë redaktori Rushit Ramabaja.
/Epoka e re/