“Promovojnë antivlera dhe degjenerim”, reagime për performacën erotike në Dokufest
Shumë reagime ka ngjallur hapja e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtë DokuFest në Prizren, konkretisht i një shfaqje novatore me një performancë erotike të realizuar nga disa kërcimtarë të cilët janë shfaqur me veshje provokuese.
“Kemi qenë dëshmitarë të imazheve që nuk janë të përshtatshme për Prizrenin dhe as Kosovën”, tha ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, që vije në Prizreni.
Për Damkën, realizimi i këtyre ngjarjeve është në kundërshtim “me vlerat e historisë, kulturës dhe besimit në Kosovë”.
“Ata që e realizojnë këtë ngjarje, e cila është në kundërshtim me vlerat e historisë, kulturës dhe besimit tonë, kanë krijuar rrezik për të dhënë shembull të keq sidomos në zhvillimin personal dhe social të të rinjve tanë”, tha Damka.
Në anën tjetër, për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmanin, “është e tmerrshme” dhe e papranueshme se si DokuFest, Anibar, Parada e Krenarisë dhe qindra aktivitete të mbështetën nga pushteti qendror dhe lokal me miliona euro nga paraja publike “për të promovuar antivlera dhe degjenerim të shoqërisë tonë”.
Madje, ai pretendoi se “është qartë e kuptueshme se të gjitha këto organizime kanë vetëm një qëllim, atë të shkatërrimit të familjes”.
“Asnjëherë ne nuk do të lejojmë që këto degjenerime të ndryshojnë vlerat e larta që vendi ynë frymëzon me shekuj e shekuj”, shtoi deputeti Rrahmani.
Mes reagimeve të shumta që ka pasur në rrjetet sociale, për rastin në fjalë ka shkruar edhe deputetja e njohur nga Prizreni, Duda Balje.
“Për gjërat që nuk janë normale, mos na bëni t’i pranojmë si moderne. Mos e prekni frymën e Prizrenit tradicional dhe kulturor”, thuhet në reagimin e saj”.
Në anën tjetër, analisti politik Blerim Latifi, ka potencuar se “kurrë nuk është vonë me dalë nga shpella e paditurisë”.
“Prandaj, ju zotërinj talebanë shqipfolës, kur merrni të diskutoni për këtë punë, mos u thirrni fort në traditën, se pastaj llogaritë u dalin keq. Lexoni pak më shumë, se mbase bëheni ma mendjehapur dhe, rrjedhimisht, edhe ma tolerantë”.
Latifi ka theksuar se në Prizren, në vendin ku u dha ajo shfaqja hyrëse e Doku Festit “që na paska alarmuar gardianët talebanë, fiks 160 vjet më parë po qëndronte austriaku i famshëm Johann von Hahn, themeluesi i Albanologjisë”.
“Gjatë qëndrimit në Prizren ai u njoh me jetën sociale të qytetit dhe ato që pa e mësoi i botoi në librin e tij ‘Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe Vardarit’. Mes shumë dukurive që pa, ishte edhe praktika e përhapur e homoseksualitetit në qytet”, potencoi Latifi.
Në Dokufest do të shfaqën 104 filma në tetë seksionet e tij konkurruese, me një numër filmash që do të kenë premierat e tyre botërore, ndërkombëtare dhe evropiane.