Prona në Veternik, nuk ka prova se është fituar me falsifikim të dokumentit
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm me Aktvendimin e datës 15.05.2024 ka vendosur sërish për refuzimin e kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar ndaj pronës 3 hektarësh në Veternik.
Vendimi I Gjykatës Për Pronën Në Vetërrnik
Front Online ka siguruar vendimin e Gjykatës, me të cilin Kërkesa për Urdhër Ndalues Përfundimtar të pronës së paluajtshme e datës 24.05.2023, e plotësuar dhe përmirësuar me datë 22.03.2024 ndaj të dyshuarit Ylber Hyseni për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 391, par. 1 dhe veprës penale “Mashtrimi” nga neni 323, par. 4 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së, ishte refuzuar për herë të pestë.
Gjykata, kishte arsyetuar se pas analizimit të kërkesës për Urdhër Ndalues Përfundimtar dhe provave materiale dhe pretendimeve të palëve, gjeti se kërkesa e plotësuar e Prokurorisë së Shtetit e datës 22.03.2024, është e pabazuar, për faktin se pasuria e specifikuar në kërkesë nuk i plotëson kushtet ligjore për t’u lëshuar urdhri ndalues përfundimtar siç përcaktojnë dispozitat e Kodit të Procedurës Penale i Republikës së Kosovës.
Në këtë çështje penale, Gjykata kishte caktuar edhe seancën dëgjimore me datë 29.04.2024, në të cilën kanë marrë pjesë Prokurorja e Shtetit Nebahate Salihu, përfaqësuesit e palëve të dëmtuara Gursel dhe Nexhat Sadiku, av. Saranda Keqekolla-Sadiku, Florim Shefqeti me bashkëpunëtorin profesional në zyrën e tij dhe Bedri Abdullahu.
Ndërsa për përfaqësuesit e palëve me interes juridik Fadil Berisha, Emine Krasniqi, Shkelzen Kuqi, Muhamet Haziri, Arbresha Januzi, Sami Mazreku, Fatmir Gashi, Nevruz Hasani, Sejdulla Mahmuti e Ragip Vllahiu, është paraqitur av. Venhar Hana, si dhe palët me interes juridik Ruzhdi Hasani e Besnik Shala.
Në këtë seancë dëgjimore, sipas arsyetimit të aktvendimit, Prokurori i Shteti ka elaboruar kërkesën e përmirësuar për urdhër përfundimtar ka deklaruar se siç e ka bërë me shkrim ndaj të njëjtës po qëndron dhe kërkoi nga gjykata që të njëjtën ta aprovojë në bazë të provave të paraqitura nga pala e interesuar.
Prokurori i Shtetit në deklarimin e tij, ka theksuar se në bazë të dokumentit lëshuar nga komuna e Prishtinës 15.06.1961, Zojë Hyseni e ka fituar të drejtën e pronësisë e rrjedhimisht këtë të drejtë në bazë të trashëgimisë, e kishte fituar i dyshuari Ylber Hyseni.
Po ashtu, Prokurori i Shtetit ndër të tjera kishte theksuar se gjatë hetimit kishte siguruar prova të reja të cilat vërtetojnë se Aziz Krasniqi ka qenë pronar i ngastrës nr. 1743 ZK Prishtinë, në bazë të kontratës së shitblerjes të datës 03.01.1953 të cilën e kishte blerë nga shitësi Svetic Milutin Todora, e vërtetuar para Gjykatës së Rrethit në Prishtinë, me datë 04.01.1953.
Ndërkaq, me Aktvendimin e Kuvendit Komunal në Prishtinë nr. 54862, kjo pronë kishte kaluar në pronësi publike nga pronari Aziz Krasniqi i cili kishte humbur të drejtat në tokë, sepse me aktgjykimin penal të vitit 1951 ishte shpallur si armik i popullit.
Përfundimisht, Prokurori i Shtetit ka konsideruar pronën në Veternik si të përfituar me vepër penale dhe për të parandaluar pasojat e paparashikueshme për qytetarët, ka theksuar se duhet lëshuar urdhri ndalues përfundimtar për të shmangur dëmet e mundshme.
Përfaqësuesit e palëve të dëmtuara Nexhat dhe Gursel Sadiku, av. Florim Shefqeti dhe av. Saranda Keqekolla-Sadiku, në seancë kishin deklaruar se lidhur me dokumentin e falsifikuar vërtetim të lëshuar nga komuna e Prishtinës më datë 15.06.1961, përmes të cilit dyshohet se Zojë Hyseni kishte fituar të drejtën e pronësisë, nënshkrimi i vendosur në emër të Milorad Filipovic nuk ishte i tij dhe se vula del të mos jetë origjinale për nga madhësia dhe përmbajtja e saj. Ndër të tjera, kanë deklaruar se në këtë fazë të procedurës është e domosdoshme që të lëshohet urdhëri ndalues përfundimtar për faktin se zvarritja e procesit gjyqësor po u shkakton dëme të mëdha qytetarëve dhe për këtë përgjegjëse kryekëput është trajtimi i lëndës nga ana e gjykatës.
Përfaqësuesi i palëve me interes, av. Venhar Hana në seancën dëgjimore kishte deklaruar se me provat e materiale në mbështetje të kërkesës së Prokurorit të Shtetit nuk plotësojnë as standardin minimal të dyshimit të bazuar se janë kryer veprat penale të mashtrimit apo falsifikimit të dokumentit, mbi të cilin supozohet të jetë fituar e drejta e pronësisë nga i dyshuari Ylber Hyseni.
Përfaqësuesi i palëve me interes kishte theksuar se sipas ekspertizës forenzike të siguruar nga Prokurori i Shtetit, nuk ishte arritur në ndonjë rezultat përfundimtar për të konfirmuar nëse do të vërtetohej dyshimi i bazuar lidhur me falsifikimin e dokumentit.
Më tutje, ishte deklaruar se në këtë seancë dëgjimore nga asnjëra palë nuk ishte elaboruar përmbajtja e dokumentit vërtetim të lëshuar nga komuna e Prishtinës më datën 15.06.1961, mbi të cilin supozohej të ishte fituar e drejta e pronësisë nga Ylber Hyseni, duke kërkuar nga prokurorja dokumentin në shikim dhe po ashtu të njëjtin ta lexojë para gjykatës.
Ndërsa, nga analizimi i dokumenteve të siguruara nga Prokurori i Shtetit që dëshmojnë se ngastra nr. 1743 ZK Prishtinë kishte qenë në pronësi të Aziz Krasniqi, lidhur me këtë av. Hana kishte theksuar se kontrata e shitblerjes e datës 03.01.1953 ishte vërtetuar me datë 04.01.1953, e që kjo kishte qenë e pamundur ngase kishte qenë ditë e diel, kur gjykata nuk punon.
Po ashtu, kishte theksuar se kjo kontratë ishte absolutisht nule edhe po të vërtetohej nga gjykata ngase sipas aktgjykimit penal, Aziz Krasniqi ishte zhveshur nga të drejtat e tij civile dhe nuk kishte fare zotësi të veprimit. Ndërsa, lidhur me Aktvendimin e Kuvendit Komunal në Prishtinë nr. 54862, kishte theksuar se me asnjë provë nuk ishte provuar se ngastra nr. 1743 ZK Prishtinë të kishte qenë paraprakisht e regjistruar në emër të Aziz Krasniqi, në atë mënyrë që të nxirrej vendimi për humbjen e të drejtave të pronësisë dhe kalimit të saj në pronësi publike.
Më tutje, lidhur me përmbajtjen e dokumentit të falsifikuar Prokurori i Shtetit kishte deklaruar se sipas këtij dokumenti, Zojë Hyseni nuk kishte fituar të drejtë pronësie në ngastrën nr. 1743 ZK Prishtinë por se këtë të drejtë e kishte humbur, e ky është një fakt i njohur edhe për prokurorinë edhe për gjykatën.
Deri më tani, ende nuk dihet nëse pala e dëmtuar ose Prokurori i Shtetit kanë paraqitur ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.