Pronari i fabrikës ‘Floil’: Ka sasi të konsiderueshme të vajit në stok, të shtohen inspektorët e tregut

10 mars 2022 | 16:09

Pronari i fabrikës së vajit “Floil” në Gjilan, Berat Mustafa, ka thënë se nuk ka nevojë për shqetësim lidhur me mungesën e vajit, pasi siç ka deklaruar ai ka sasi të konsiderueshme të këtij produkti në stoqe.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Mustafa ka thënë se në Kosovë vaji konsumohet shumë, por nuk ka nevojë për panik.

“Më shumë është krijuar një panik apo një shqetësim tek qytetarët dhe janë duke konsumuar më tepër se që duhet. Duke e parë si rafineri se sa është konsumi i qytetarëve për çdo ditë, mendoj që është pak e ekzagjeruar si konsum. I lus qytetarët që të mos kenë shqetësim sepse nuk ka hapësirë për shqetësim. Kemi sasi të konsiderueshme ku edhe për këtë muaj do të mbulojmë me sasi. Pastaj edhe me ndihmën e kryeministrit dhe ministrave do të gjejmë mundësi dhe forma për vaj”, ka thënë ai.

Më tutje, Mustafa ka thënë se vaji prej fabrikës “Floil” shitet me çmim prej 1.95 euro për litër, ndërsa pas TVSh-së çmimi i tij është 2.10 euro.

“Çmimi që është duke e shitur nga kompania jonë është 1.95 cent për litër pa TVSh, ndërsa kur del në treg ajo bëhet 2.10 cent”, ka thënë Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Ferruccio Michelin “Formiche.net” Një analist i FSB-së, shërbimit sekret…