Pronari i kafeterisë Leja’s Café, Baki Shahini flet për raportet me Naim Murselin e Liridona Ademajn që punonte aty

15 dhjetor 2023 | 18:16

Baki Shahini thotë se është pronari i Leja’s Café, një kafeterie në Suedi me të cilën Naim Murseli dhe Liridona Ademaj ishin të lidhur deri vonë.

Ai ka rrëfyer për njohjen me ta dhe se çka di për marrëdhëniet mes tyre.

Kafeteria Leja’s Café në Uddevalla të Suedisë u mbyll për klientët të dielën e 3 dhjetorit dhe pasdite dyert i hapi vetëm për të pritur ngushëllime dhe për të ndezur qirinj për vrasjen e Liridona Ademajt, e cila ishte ekzekutuar në Kosovë tri ditë më parë.

Deri në tetor, 30-vjeçarja kishte punuar aty.

Leja’s Café shkroi se “Lilly”, siç i referohej kafeteria asaj, ishte “një person kaq i mrekullueshëm”.

Aty nisi një aksion për ta ndihmuar familjen e Liridona Ademajt.

Me këtë kafeteri ishte i lidhur edhe Naim Murseli, i cili tash ndodhet në burgun e sigurisë së lartë në Gërdovc të Podujevës në Kosovë, nën dyshimin se e porositi dhe e organizoi vrasjen e bashkëshortes së tij.

Baki Shahini, një shqiptar që tash thotë se është pronar i këtij lokali, tha se për një kohë ai dhe Naim Murseli ishin bashkëpronarë.

Ai ia tha gazetës versionin e tij për lidhjet mes tyre.

“Nga fillimi kur e ka kuptuar Naimi se une ju ndihmoj biznesmenëve tjerë këtu në qytetin e Uddevallas në Suedi që të kenë rezultat pozitiv në llogarinë e tyre bankare në fund të vititD më ka kontaktuar dhe ka shprehë deshirën për me hapë një biznes së bashku”, tha Shahini në një bashkëbisedim me Gazetën Express.

Shahini këto ditë ka folur edhe më një gazetë lokale të quajtur Bohuslaningen, ku po ashtu citohet si pronar i kafeterisë.

“Unë kam pasur kontakte me ish pronarin suedez që donte ta shiste Leja’s dhe pasi që ia kemi blerë, jemi berë bashkpronarë të lokalit. Pas një kohe unë ia kam blerë pjesën e tij dhe ka qenë vetëm një punëtor tek unë për një kohë të shkurtër, kurse bashkëshortja Liridona ka qenë e punësuar nga fillimi”, shtoi ai.

Shahini tha se deri në një periudhë kishte marrëdhënie të mira me Murselin.

Së fundmi, tha se nuk kishin shumë kontakt.

Arsyeja për këtë ishte se Naim Murseli, sipas Shahinit, e kishte prezantuar si të tijën një ide për të shërbyer kafe falas për të moshuarit.

“Ne fillim e kemi pasë mirë deri sa doli në media për ta promovuar idenë time. Prej atëherë e kam trajtu si bashkëshort të Liridonës, asgjë më shumë. Une kam respekt per të gjithë dhe së fundmi nuk kemi pasur shumë kontakt. Ditën e nesërme që ka ndodhur ky rast tragjik, para se te arrestohej ai unë i kam shpreh ngushëllime për bashkëshorten. Nuk më ka shku mendja më tepër, por vetëm për fëmijët e tyre dhe familjen e së ndjerës”, tha ai.

I pyetur se çka dinte për marrëdhëniet mes Naim Murselit dhe Liridona Ademajt, Shahini tha se nuk i kishte shkuar mendja se mund të ndodhte ajo që pasoi.

Edhe pse e i njohu të dy, Shahini tha se në kafeteri më shumë kishte raporte me Liridonën.

“Për marrëdhëniet mes tyre nuk di më shumë se që e kanë tregu në mënyrë publike. Nuk me ka shku mendja që mund të ndodhte diçka e tillë”.

Ai tha se Liridona nuk kishte shprehur ndonjë problem me bashkëshortin, dhe kjo, tha Shahini, “ka qenë një prej arsyeve që nuk kemi besuar që të ndodhte ky rast”.

“Une flas vetën për veten dhe punetoret e mia me të cilat kemi folur për këtë. Nese ka shprehur diçka në shoqëri ne nuk e dimë”.

“Ajo gjithmonë ka qenë e buzëqeshur në punë”, tha Sahini.

Por ai tha se e di se Liridona Ademaj “e kishte planifikuar të shpërngulej në Kosovë dhe në shtëpinë e re”.

Në reagimin e parë pas vrasjes së Liridona Ademajt, nga Leja’s Café thanë se po përmbaheshin që të mos merreshin me rrethanat e ngjarjes.

“Kemi marrë shumë pyetje në lidhje me rastin dhe me gjithë respektin për të afërmit e saj, jemi përmbajtur të mos postojmë asgjë në rrjetet sociale”, thuhej në postimin e kafeterisë në rrjetet sociale.

Shahini tha se për këtë kishin pyetur klientët.

“Jo, nuk ka pasur arsye të tjera por ne nuk kishim shumë informata në fillim se si ka pasë mundësi që të ndodhte kjo dhe klientët që pyesnin ishin shumë të interesuar për këtë. Per të mos spekuluar kot, jemi permbajtur. Ne nuk kemi pasur asgjë më tepër kontakt me Liridonën prej muajit tetor kur u largua nga puna”, tha ai.

Naim Murseli, sipas asaj që thotë Baki Shahini, ishte pjesë e Leja’s Café deri vitin e kaluar, kur sipas tij e kishte lënë vetë punën.

“Ka qenë deri në vitin 2022 por ka ardhë në vizitë ndonjeherë. Unë nuk kam qenë aty por më kanë treguar punetorët”, tha ai.

“Ka qenë në vizitë edhe në këtë vit se qyteti nuk është i madh”, tha Shahini.

Aty, ai kishte pritur edhe mysafirë nga Kosova.

Ndër ta, hoxhën Halil Kastrati.

Si personazh i njohur kryesisht në rrjetet sociale, Naim Murseli në shtator të vitit 2021 kishte publikuar në Facebook një fotografi me mysafirë në Leja’s Café.

Aty shihet edhe babai i tij, Shaban Murseli.

Naim Murseli e kishte bindur bashkëshorten e tij, Liridona Ademajn të ktheheshin nga Suedia për të jetuar në Kosovë.

Ata kishin blerë një shtëpi ku do të vendosej çifti me fëmijët për të nisur jetën e re.

Pak më vonë, Kosova do të shihte një nga vrasjet më makabre në historinë e vet.

Ai dyshohet se e kishte përgatitur krejt planin për ta vrarë bashkëshorten.

Naim Murseli e ftoi Liridona Ademajn mbrëmjen e 29 nëntorit që së bashku me fëmijët të shkonin për darkë në një restorant në Graçanicë.

Vrasja ndodhi menjëherë pas darkës, në një plan të realizuar përmes një grabitjeje të inskenuar me dorasin Granit Plava, të cilit Naim Murseli thuhet se kishte premtuar 30 mijë euro dhe e kishte pajisur me armë, sipas dyshimit të bazuar mirë të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur “dyshimin e bazuar” për planin e vërtetë të Naim Murselit për ta privuar nga jeta “në mënyrë dinake” bashkëshorten e tij.

Në marrëveshje me Naim Murselin, sipas Gjykatës, Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë e qëlloi me plumb në qafë Liridona Ademajn, pasi bashkëshorti i saj dhe fëmijët u larguan “kinse për të ikur”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga…