Pronari i “Viva Fresh Store” në arrati? Nga rrjeti i super-markteve deklarohen për herë të parë

13 mars 2022 | 19:02

Krimet Ekonomike dhe Inspektorati i Tregut të enjten mbrëma ia mësynë dy depove të rrjeteve të supermaketeve. Cak ishin depo kryesore e “Viva Fresh Store” dhe ajo “Migros” e pronarit të “Super Viva”. Aksioni u zhvillua për shkak të dyshimeve për mashtrim me çmimet e litrës së vajit, që javën e shkuar arriti në shifra ekstreme. Shkaku i të gjeturave, Inspektorati i Tregut njoftoi se i mbyllin përkohësisht të dy depot që u bastisen.

E menjëherë pas aksionit, në opinionin publik, kryesisht përmes rrjeteve sociale u aludua se pronari i Viva Fresh Store, depoja kryesore e të cilës u mbyll përkohësisht nga shteti, nuk u gjet nga Policia, dhe së të njëjtit janë vënë në kërkim të tij.

Në lidhje me këto pretendime, Gazeta Online Reporteri.net vazhdimisht ka provuar ta kontaktojë Xhevdet Rexhepin, pronarin e “Viva Fresh Store” por kontakti me të përmes telefonit ka qenë i pamundur.

Megjithatë, Gazeta Online Reporteri.net të premten ka marrë përgjigje me e-email në lidhje me këtë nga kompania e tij.

Nga kompania “Viva Fresh Store” kanë thënë se aludimet se pronari i rrjetit të super-marketeve, Xhevdet Rexhepi, është në arrati janë spekulime.

“Pretendimet dhe opinionet e tilla absolutisht janë të pasakta dhe janë si rrjedhojë e dezinformatave, keqinformimit, lajmeve të rreme, të shtrembëruara e të pakonfirmuara”, thuhet në përgjigjen e “Viva Fresh Store” për Gazetën Online Reporteri.net.

Tutje, kompania demanton edhe pohimet e Inspektoratit të Tregut që i dhanë në komunikatën ku u njoftua mbyllja e dy depove pas aksionit të së enjtes.

Madje, nga “Viva Fresh Store” pohojnë se nuk iu është ndërprerë nga shtetit zhvillimi i aktiviteti, siç njoftoi Inspektorati i Tregut.

“Në fakt inspektorët e tregut kanë kryer një vizitë në kompaninë tonë dhe pas kryerjes së veprimeve inspektuese nuk është gjetur asnjë shkelje ligjore si dhe asnjë produkt i padeklaruar. Si rrjedhojë e një transparence të tillë, menjëherë pas kryerjes së vizitës, nga po të njëjtit, Qendrës sonë Logjistike i është mundësuar zhvillimi i aktiviteteve normale dhe të përditshme. Përtej kësaj gjithçka tjetër ngelët në suazat e spekulimeve dhe të pavërtetës”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën Online Reporteri.net.

Deri në sa vite burgim mund të dënohen vëllezërit “tyxharë” të Viva Fresh’it e Super Viva’s për zhvatjen 3.49 Euroshe me vaj?

Nga ana tjetër, Inspektorati i Tregut ka njoftuar të enjten se ka mbyll përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë.

“Gjatë aksionit të sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, janë mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë (në Fushë Kosovë dhe Graçanicë)”, thuhej në njoftim.

Për aksionin njoftoi dhe reagoi në facebook edhe vetë Kryeministri Kurti.

“Pas një aksioni të Inspektoratit të Tregut dhe Policisë së Kosovës, Departamentit për hetimin e Krimeve Ekonomike, në dy depo (Fushë Kosovë dhe Graçanicë) është gjetur vaj për të cilin ka munguar dokumentacioni. 3.49 euro për një shishe vaj është rritje artificiale. Nuk e lejojmë zhvatjen. E kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manipulojnë e përfitojnë në emër të krizës”, shkroi Kurti.

Ndryshe, përveç depos kryesore të Viva Fresh Store, të enjten cak i bastisjeve të Krimeve Ekonomike dhe Inspektorati të Tregut ishte edhe depoja Migros, në pronësi të Mustafë Rexhepit, pronari i rrjetit të supermarkteve Super Viva.

Biznesmenët Musafë Rexhepi dhe Xhevdet Rexhepi janë vëllezër mes vete. Të dy rrjetet e super-marketeve dyshohen se javën e kaluar mashtruan konsumatorët e tyre me çmimet e vajit.

Zhvatja me çmimet e vajit: Mbyllet edhe depoja “Migros” e biznesmenit Mustafë Rexhepi, pronar i marketeve “Super Viva”

Për aksionin e së enjtes ka folur edhe Prokuroria e Shtetit për Gazetën Online Reporteri.net. Madje, paralajmëruan se do të ndërmarrin edhe masat e parapara me Kodin Penal të Kosovës, dhe duke u referuar në nenin 295 të KPK-së që parasheh edhe dënime me burgim për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës së monopolit”.

Neni 295 i KPK-së, të cilit i referohet Prokuroria e Shtetit, përveç dënimeve me gjobë, parasheh edhe dënime me burgim nga tre vjet deri në 5 maksimumi. /Reporteri.net/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Peja ka shënuar fitore ndaj Bashkimit me rezultat 61:76 (20:18,…