Pronarit të Chelseat, Roman Abramovich, i ndalohet të jetojë në Britani pas lidhjeve me regjimin e Putinit
Pronarit rus të Chelseat, Roman Abramovich, thuhet se i është ndaluar në mënyrë efektive të jetojë në Britani të Madhe. Miliarderi nuk është parë në shtëpinë e klubit të tij në jugperëndim të Londrës, “Stamford Bridge”, për muaj të tërë.
Ai tërhoqi aplikimin e tij për një vizë investitori britanik të nivelit 1 në vitin 2018, pas raportimeve të vonesave në aplikimin e tij pas kritikave ndaj oligarkëve rusë pas helmimeve në Salisbury. Sipas mediumit britanik “The Sun”, burime të larta të sigurisë tani thonë se nuk ka gjasa që 55-vjeçari të lejohet të jetojë përsëri në Britani.
Zyrtarët e imigracionit thuhet se janë nën udhëzime për ta bërë të pamundur që Abramovich, i cili zotëron një rezidencë 125 milionë funtesh pranë Pallatit Kensington, të vendoset në Mbretërinë e Bashkuar. Rasti i tij thuhet se po trajtohet nga ‘Njësia e Rasteve Speciale’ të Home Office. Kjo vjen pasi Abramovich u emërua nga deputetët të martën si njëri nga 35 oligarkët e identifikuar nga kreu i opozitës ruse Alexei Navalny si njërin nga ‘mundësuesit kryesorë’ të ‘kleptokracisë’ të drejtuar nga presidenti i vendit, Vladimir Putin.
Ai mohon me forcë se është afër Kremlinit ose ka bërë ndonjë gjë që do ta meritonte vendosjen e sanksioneve kundër tij – pasi Britania synonte të vendoste sanksione ndaj Rusisë në mes të tensioneve në rritje me Ukrainën. Në vitin 2018 Abramovich u bë shtetas izraelit, duke e lejuar atë të hynte në Britani deri në gjashtë muaj. Ai përdori pasaportën e tij izraelite tetorin e kaluar për të bërë një udhëtim të shkurtër në Londër.
Megjithatë, një burim i lartë i ka thënë “The Sun” se çdo përpjekje e oligarkut për të aplikuar për një vizë të përhershme ‘pothuajse me siguri do të refuzohej’. Abramovich ka një pasuri të vlerësuar prej 8.4 miliardë funtesh. Përveç pronave të shumta, ai zotëron një seri super-jahtesh, duke përfshirë Solaris prej 450 milionë funtesh, i cili ka një sistem zbulimi të raketave. Miliarderi nuk ka mbajtur kurrë nënshtetësinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe i ka fituar paratë e tij duke shitur pasuri të blera nga shteti kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Ai mbërriti në Chelsea në vitin 2003 dhe e transformoi skuadrën nga ekipi i mesit të tabelës në një gjigant të Ligës Premierë dhe Ligës së Kampionëve me ndihmën e Jose Mourinhos. Pjesa më e madhe e pasurisë së Abramovichit në Mbretërinë e Bashkuar gjendet në Evraz, një gjigant çeliku dhe minierash i listuar në bursën e Londrës.