Propozimi francez për vizat ‘mund të ndryshojë’

18 tetor 2022 | 14:38

Kushtëzimet e reja për liberalizimin e vizave për Kosovën, të iniciuara nga Franca, mund të mos kalojnë në Këshillin e Bashkimit Evropian, ka thënë profesori i shkencave politike në Universitetin e Oksfordit, Dimitar Bechev.

Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë kanë propozuar që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e të ashtuquajturit sistem ETIAS.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

ETIAS është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.

Duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, Bechev ka thënë se kërkesa franceze për liberalizimin e vizave për Kosovën, tash për tash, duhet të shihet vetëm si propozim.

“Këshilli (i BE-së) mund ta modifikojë në mënyrë dramatike propozimin”, ka thënë ai.

Në takimin e 13 tetorit është shqyrtuar raporti i përditësuar teknik nga Komisioni Evropian, i cili ka konfirmuar përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës.

Nëse do të kishte pajtim mes vendeve anëtare të BE-së, atëherë ambasadorët e këtyre vendeve do ta bartnin përgjegjësinë te Parlamenti Evropian, Këshilli i BE-së dhe Komisioni Evropian, për nisjen e bisedimeve trepalëshe në lidhje me këtë çështje.

Meqë nuk kishte pajtim, diskutimet do të vazhdojnë në grupin punues të Këshillit të BE-së më 9 nëntor, ndërsa, deri atëherë, vendet anëtare do të zhvillojnë edhe konsultime ndërmjet vete.

Po ashtu, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, vendet anëtare të BE-së kanë afat deri më 21 tetor që t’i dërgojnë komentet e tyre me shkrim lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në lidhje me motivin e Francës për kushtet shtesë, Bechev ka thënë se ajo synon forcimin e BE-së.

“Franca përdor zgjerimin për të nxitur rishikimin e politikave brenda BE-së”, ka thënë ai.

Franca nuk është e vetmja që mbështet idenë për ta lidhur ETIAS-in me lirinë e lëvizjes së kosovarëve. Belgjika dhe Spanja e mbështesin po ashtu, ndërsa Suedia, Holanda dhe Italia janë duke e konsideruar atë. Gjermania, megjithatë, është fuqishëm kundër propozimit.

I pyetur nëse presioni i mundshëm i Gjermanisë mund ta ndryshojë qëndrimin e Francës, Bechev ka thënë se “ajo ka mjaft ndikim në këtë çështje, marrë parasysh madhësinë dhe vendndodhjen e saj gjeografike”.

“Radio Evropa e Lirë” ka pyetur Ministrinë e Jashtme dhe atë të Brendshme të Francës në lidhje me kërkesat e shtetit të tyre dhe nëse ka mundësi që Parisi të tërhiqet nga ky pozicion, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk mori përgjigje.

Kristof Bender, zëvendësdrejtor i Iniciativës për Stabilitet Evropian, ka thënë më 14 tetor për “Radion Evropa e Lirë” se shtyrja e mëtutjeshme e liberalizimit të vizave për Kosovën është qasje “shkurtpamëse” dhe e dëmshme për Bashkimin Evropian.

“Të shtyhet sërish liberalizimi i vizave është thellësisht e padrejtë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. (Kjo) minon besueshmërinë dhe ndikimin e (BE-së) në Ballkan në tërësi”, ka thënë Bender.

Bender, i cili punon edhe në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, ka thënë se shtetet e BE-së duhet të sigurohen se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të merret shpejt dhe “pa kushte shtesë”.

“Kjo kërkon një përpjekje reale nga shtetet anëtare që mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën, për t’i bindur skeptikët. Nëse nuk ka një përpjekje të tillë, skenari më i mundshëm është një vonesë e re e konsiderueshme”, ka thënë, mes tjerash, Bender.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, të përbërë prej 26 shtetesh evropiane.

Vendet e tjera të rajonit ka më shumë se një dekadë që gëzojnë udhëtimin pa viza.

Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë.

Javën e kaluar, Komisioni, edhe njëherë, ka lëshuar një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.

Përveç ndërlidhjes së liberalizimit të vizave me sistemin ETIAS, ka pasur zëra se Franca mund të nxjerrë edhe kushte të tjera, si për shembull: Prishtina të arrijë marrëveshje të riatdhesimit me të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Nga Republika Çeke, e cila mban presidencën e Këshillit Evropian deri në fund të vitit 2022, kanë thënë disa herë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetarja e njohur e “BBC Sport”, Emma Louise Jones, ka…