Propozimi franko-gjerman pritet diskutohet në takimin e radhës Kurti-Vuçiq

17 tetor 2022 | 10:00

Emërimi i Emmanuel Bonnes dhe Jens Plötnerit, këshilltarë të Emmanuel Macronit dhe Olaf Scholzit, si të dërguar të Francës dhe Gjermanisë për dialogun Kosovë-Serbi, duket se i ka dhënë një shtytje zgjidhjes së çështjes mes dy vendeve.

Tani në tavolinën e diskutimeve në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me shumë gjasë do të jetë edhe ky dokument për shqyrtim.

Komentatori serb i politikës së jashtme Boshko Jakshiq thotë për mediumin serb “Nova” se propozimi i lartpërmendur duhet të shqyrtohet seriozisht, por shton se pyetja është se sa vërtetë populli është i informuar për përmbajtjen e atij dokumenti, transmeton Klankosova.tv.

Madje ai hedh dyshime edhe mbi interpretimin e Vuçiqit rreth përmbajtjes së këtij dokumenti.

“Burime shumë të besueshme thonë se nuk ka asgjë nga ajo që është prezantuar, që është një përshpejtim i qartë (për anëtarësim në BE) dhe ndihmë e bollshme financiare. As financat nuk përmenden, as afate, pra bëhet fjalë për një interpretim të lirë të Vuçiqit, që padyshim që i shkon në një farë mënyre, por në atë letër nuk ka një gjë të tillë”, thotë Jakshiqi.

Ai beson se propozimi i Francës dhe Gjermanisë do të jetë në tryezë në takimin Vuçiq-Kurti.

“Natyrisht që do të bisedojnë, siç u diskutua në takimin trepalësh Vuçiq, Scholz dhe Macron”, thotë Jakshiq, i cili beson se do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje mes dy palëve.

Ndërkaq, sipas deklaratave të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, një takim mes dy Kurtit e Vuçiqit mund të mbahet deri në fund të tetorit.

Sipas propozimit të Gjermanisë dhe Francës, me nënshkrimin e asaj draft-marrëveshjeje, gjithnjë sipas interpretimeve të atij dokumenti nga mediat, Serbia do të merrte përsipër që të mos e kundërshtojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, pra as në Kombet e Bashkuara, transmeton Klankosova.tv.

Nga ana tjetër, sipas Vuçiqit, Serbia do të hynte shpejt në BE me një ndihmë të madhe financiare.

Ekzistenca e këtij dokumenti është konfirmuar, përveç nga Kurti e Vuçiqi, edhe nga qeveria gjermane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se Kosova është…