Propozimi i paraqitur në New York pak para sulmit: Misioni i KFOR-it duhet të marrë kontrollin e plotë të veriut të Kosovës

26 shtator 2023 | 20:02

Në një takim me dyer të mbyllura, të zhvilluar javën që shkoi në New York – në sfondin e mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara –  zyrtarë të rangut të lartë nga administrata e presidentit Joe Biden u angazhuan në diskutime diplomatike me liderët nga Ballkani Perëndimor.

Kështu shkruan e përditshmja e gazetares serbe, Ksenija Pavlovic, me bazë në Washington “Pavlovic Today”, e cila thekson se takimi shënoi një moment kyç në diplomacinë e Ballkanit Perëndimor.

Një burim i lartë diplomatik, tha për “Pavlovic Today” se kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor adresuan shqetësime urgjente me zyrtarët amerikanë në lidhje “me veprimet destabilizuese të kryeministrit, Albin Kurti, në veri të Kosovës”.

Ata propozuan edhe një zgjidhje.

Sipas burimit të medias, apeli për ndërhyrje u shpreh nga “të paktën dy” kryeministra të vendeve të Ballkanit Perëndimor –  përveç Serbisë – të cilët iu lutën urgjentisht Shteteve të Bashkuara që t’i jepnin fund “aktiviteteve destabilizuese” të Kurtit brenda Kosovës.

Zgjidhja e propozuar përfshinte dhënien e autoritetit të plotë mbi veriun e Kosovës, forcave të NATO-s (KFOR).

Kjo, duke zëvendësuar në mënyrë efektive rolin aktual të Forcës Policore të Kosovës.

Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor shprehën shqetësim të thellë për situatën në veri të Kosovës, të krijuar nga veprimet e njëanshme të kryeministrit Kurti, citon e përditshmja.

Më tej ajo shkruan se liderët rajonalë theksuan pasojat e mundshme, që mund të përhapen në rajon nga veprimet e Kurtit.

Ata argumentuan se paqëndrueshmëria e vazhdueshme në këtë pjesë të Kosovës përbën një kërcënim të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë rajonale.

Mundësia më e mirë kundër rënies së Ballkanit Perëndimor sipas këndvështrimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor është që t’i jepet KFOR-it kontrolli i plotë mbi veriun e Kosovës.

Duke e bërë këtë, ata besojnë se e ndalojë kryeministrin Kurti nga destabilizimi i rajonit.

Udhëheqësit e Ballkanit besojnë se vendosja e KFOR-it do të ndihmonte në kthimin e çështjeve të Kosovës në kanalet diplomatike dhe rifillimin e dialogut thelbësor për zgjidhjen e tensioneve të vazhdueshme në rajon.

Por, në prag të një diskutimi kritik diplomatik të planifikuar për të hënën, më 25 shtator, që përfshin propozimin që KFOR-i të marrë kontrollin e plotë në veri të Kosovës, një incident shqetësues u shpalos vetëm 24 orë më parë në Banjska, në veri të Kosovës, duke çuar në vdekjen e një polici kosovar dhe të paktën katër serbëve.

Kjo kthesë shqetësuese e ngjarjeve ngre një pyetje: A ishte ky shpërthim i dhunës thjesht një rastësi?

“Konsultime intensive dhe shumë thelbësore me këshilltarët kryesorë diplomatikë Bonne, Plötner, Talo dhe Escobar. Diskutuam hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe situatën në veri të Kosovës. Mirënjohës për mbështetjen e plotë”, deklaroi Miroslav Lajçak i BE-së në platformën X të hënën.

Burimet brenda sferës diplomatike, duke folur ekskluzivisht për “The Pavlovic Today”, hodhën dritë mbi motivet e kryeministrit Kurti për të dërguar forcën e Policisë së Kosovës në Banjska.

Ata pohuan se objektivi i tij është për “t’ia hedhur fajin palës serbe dhe për të fituar legjitimitet për praninë e vazhdueshme të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës”.

Ky veprim, shpjegoi një burim diplomatik, është në “kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 9 të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013”, i cili përcakton se përbërja e Policisë së Kosovës në veri duhet të pasqyrojë përbërjen etnike të popullsisë në katër komunat, veçanërisht të komunitetit serb.

Sipas “Pavlovic Today”, Kurti gjatë gjashtë muajve të fundit ka ndërmarrë veprime të njëanshme që kanë ngritur shqetësime në lidhje me trajtimin e popullatës serbe në Kosovë.

Argumenti që KFOR-i të marrë përsipër dhe të rivendosë paqen dhe stabilitetin në rajon rezonon nga perspektiva e paanshmërisë dhe nevojës urgjente për një kthim në një dialog të udhëhequr nga BE.

“Pavlovic Today” shkruan se diskutimet diplomatike në lidhje me marrjen e kontrollit të plotë të KFOR-it në veri të Kosovës do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme kundër përshkallëzimit të mëtejshëm mbetet e një rëndësie të madhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së…