Propozimi i Ramës për Albin Kurti: Ministër Shteti për Bashkëpunimin me Kosovën
Edi Rama dhe Albin Kurti do të takohen së shpejti. Kjo u konfirmua në konferencën që kryeministri Rama po zhvillon me gazetarët, i cili shtoi se ka edhe disa propozime të reja për fituesin e zgjedhjeve në Kosovë.
E një prej këtyre propozimeve Rama e zbuloi në konferencë. Krijimin në të dy shtetet të Ministrive për Bashkëpunimin.
“Të krijohet një Ministri Shteti për Bashkëpunimin me Kosovën dhe atje një Ministri Shteti për Bashkëpunimin me Shqipërinë, të cilat do të ndjekin marrëveshjet dhe çfarë duhet bërë më tutje”, tha Rama.
Rama kritikoi edhe Qeverinë e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj: “Mendoj se duhet të shkojmë përtej marrëveshjeve të bëra dhe të mbushim boshllëqet që u krijuan nga Qeveria e kaluar”.
Rama tha gjithashtu se takimi i përbashkët i Qeverive është parashikuar të zhvillohet më 10 nëntor, por nuk dihet ende nëse kjo do të jetë e mundur për shkak të formimit ose jo në kohë të Qeverisë së re të Kosovës./topchannel