Kërkohet ndalimi i përdorimi i thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike
Nën udhëheqjen e koordinatorit të Task Forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, ushtruesit të detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, është mbajtur të enjten takimi i radhës i Task Forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.
Gjatë këtij takimi, me propozim të Matoshit, përfaqësuesit ndërministror të Task Forcës kanë aprovuar propozim vendimin për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje ne objektet e institucioneve publike, i cili do të procedohet për miratim në Qeveri.
Matoshi ka thënë se vendimi për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike ka për qëllim reduktimin e ndotjes së ajrit.
Në konferencën për media të mbajtur pas këtij takimi, ministri Matoshi ka prezantuar hapat që MMPH-ja është duke ndërmarrë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend, veprimet e Task Forcës dhe ministrive anëtare të kësaj Task Force.
“MMPH-ja më qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit, ka dërguar në Qeveri dhe Kuvend Projektligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, po ashtu Qeveria e Kosovës ka miratuar planin e veprimit për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend”, ka thënë Matoshi.
/Epoka e re/