Protesta, e vetmja rrugë për ta kundërshtuar pushtetin
Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu, ka deklaruar se protestat kanë mbetur i vetmi institucion kushtetues në dispozicion për qytetarët dhe opozitën kundër këtij pushteti. Ai ka bërë me dije se mekanizmat e tjerë demokratikë janë bllokuar nga armiqtë e të ardhës së këtij vendi. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Sejdiu ka vlerësuar se është emergjent mobilizimi qytetar kundër të keqes që, sipas tij, ka kapluar çdo pore të shoqërisë dhe ka zaptuar çdo post institucional në vend, përshirë Presidencën, Qeverinë dhe Kuvendin. “Patjetër. I vetmi institucion kushtetues i mbetur në dispozicion për ne si qytetarë dhe opozitarë kundër të keqes mbetet protesta. Të tjerat janë të zaptuara dhe të bllokuara nga armiqtë e të ardhmes sonë”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka theksuar se vendi po rrezikohet nga një kastë e kalbur politike, e cila, sipas tij, ka zaptuar dhe zotëron të gjitha institucionet kyçe të vendit. “Prandaj, reagimi qytetar është i domosdoshëm. Jemi dëshmitarë të rrëshqitjes së Kosovës drejt të qenurit shtet diktatorial dhe duhet të veprojmë tani sa nuk është vonë. Po e shohim shtimin e cenimit serioz të Kushtetutës nga presidenti, një Qeveri dhe kastë në pushtet që po e falimentojnë dhe ndajnë shtetin, dhe ‘liderë’ të papërgjegjshëm në pushtet që po e shkatërrojnë shtetësinë e Kosovës. Prandaj, reagimi i pavonuar qytetar është jetik për Kosovën!”, është shprehur Sejdiu.
Më tej, deputeti i pavarur ka treguar se është duke e shtyrë përpara idenë e bashkimit opozitar dhe krijimit të një aleance të kësaj opozite me qytetarët, për ta luftuar të keqen. Sejdiu ka thënë se ka afrim dhe koordinim të pozicioneve në mes të grupeve parlamentare opozitare, veçanërisht LDK-së dhe LV-së. “Dita-ditës po shohim bashkërendim të qëllimeve të opozitës. Mirëpo natyrisht, subjektet opozitare mund të kenë ide të ndryshme se si mund të arrihen ato qëllime të përbashkëta, dhe kjo pasuron opozitarizmin që është bërë dhe do të vazhdojë të bëhet. Koordinimet opozitare vazhdojnë të bëhen deri në arritjen e qëllimit përfundimtar, që janë zgjedhjet e parakohshme dhe krijimi i një qeverie legjitime, që ngërthen në vete shumicën e votuesve shqiptarë të Kosovës, që nuk është peng i Beogradit dhe që, mbi të gjitha, bën përpjekje maksimale që ditë më të mira të vijnë për Kosovën”, ka thënë Sejdiu.
“Epoka e re”: Z. Sejdiu, ju keni dalë në përkrahje të protestës së Lëvizjes Vetëvendosje e cila do të organizohet të shtunën. Pse vendoset ta përkrahnit?
Sejdiu: Unë e kam bërë më se të qartë arsyen pse e kam bërë thirrjen publike për protestë paqësore. Mund t’i përmbledh shkurtimisht arsyet, që janë të shumta, në një tezë të vetme, e ajo është lindja e nevojës urgjente për mobilizim qytetar kundër të keqes që ka kapluar çdo pore të shoqërisë sonë dhe që është e orkestruar nga ata të cilët sot kanë zaptuar çdo post institucional në vend, përshirë Presidencën, Qeverinë, Kuvendin e kështu me radhë. Pra, kam reaguar si deputet, para së gjithash si qytetar i këtij vendi, për ta parandaluar shkatërrimin e përgjithshëm të Kosovës.
“Epoka e re”: Në ftesën e juaj publike për protestë keni bërë thirrje për mbrojtjen e vendit nga shkatërrimi. Nga kush po rrezikohet ky vend?
Sejdiu: Vendi është duke u rrezikuar nga një kastë e kalbur politike që, fatkeqësisht, sot ka zaptuar dhe zotëron të gjitha institucionet kyçe të vendit. Siç dhe kam theksuar më parë, dita-ditës po shtohet zaptimi i shtetit, dhe çdo institucion i rregullt shtetëror mbetet i bllokuar nga kjo kastë e kriminalizuar politike e dirigjuar nga Beogradi. Prandaj, reagimi qytetar është i domosdoshëm. Jemi dëshmitarë të rrëshqitjes së Kosovës drejt të qenurit shtet diktatorial dhe duhet të veprojmë tani sa nuk është vonë. Po e shohim shtimin e cenimit serioz të Kushtetutës nga presidenti, një Qeveri dhe kastë në pushtet që po e falimentojnë dhe ndajnë shtetin, dhe “liderë” të papërgjegjshëm në pushtet që po e shkatërrojnë shtetësinë e Kosovës. Prandaj, reagimi i pavonuar qytetar është jetik për Kosovën!
“Epoka e re”: Besoni se dialogu me Serbinë dhe kjo Qeveri mund të ndalen me protesta?
Sejdiu: Patjetër. I vetmi institucion kushtetues i mbetur në dispozicion për ne si qytetarë dhe opozitarë kundër të keqes mbetet protesta. Të tjerat janë të zaptuara dhe të bllokuara nga armiqtë e të ardhmes sonë.
“Epoka e re”: Përkrahja e protestës së LV-së, a do të thotë se ju po ofroheni me këtë subjekt politik?
Sejdiu: Në fakt, nëse ju kujtohet, unë kam thirrur kohë më parë për protesta, edhe para se të bëjë thirrje LV-ja. Dhe këtë protestë nuk e shoh si iniciativë të një subjekti politik, por si një mobilizim qytetar kundër së keqes. Ne të gjithë jemi të obliguar t’i dalim në mbështetje çdo nisme të njerëzve të vullnetit të mirë kundër këtij skenari të kobshëm, përfshirë edhe këtë protestë. Sa i përket afrimit, unë jam duke shtyrë përpara idenë e bashkimit opozitar dhe krijimin e një aleance të kësaj opozite me qytetarët, për ta luftuar të keqen. Në atë aspekt, besoj se kemi afrim dhe koordinim të pozicioneve në mes të grupeve parlamentare opozitare, veçanërisht LDK-së dhe LV-së, përfshirë këtu edhe mua.
“Epoka e re”: Po ashtu, keni marrë pjesë në takimin që lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka zhvilluar me grupin parlamentar të këtij subjekti politik. Vazhdoni të jeni deputet i pavarur apo dëshironi t’i bashkoheni ndonjë grupi parlamentar?
Sejdiu: Që nga koha e fushatës parazgjedhore kam qenë pjesë, fillimisht e koalicionit parazgjedhor, pastaj pjesë e grupit parlamentar që buroi nga ai koalicion, pra atij të LDK-së. Edhe pse rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve më kanë shtyrë që në aspekt të përkatësisë politike të jem i pavarur, punën time në Kuvend e kryej që nga marrja e mandatit si pjesë e grupit parlamentar të LDK-së, dhe kam bashkëpunim të shkëlqyeshëm me kolegët e grupit në këtë drejtim. Unë marrë pjesë në të gjitha takimet e grupit tonë parlamentar, përfshirë edhe atë të thirrur dje nga kryetari i LDK-së, akademiku Isa Mustafa. Prandaj, nuk bëhet fjalë për bashkim në ndonjë grup parlamentar, por vazhdim të aktivitetit brenda grupit parlamentar ku kam qenë që nga fillimi.
“Epoka e re”: LDK-ja, si subjekti më i madh opozitar, ka dalë kundër protestës, duke pretenduar se këtë qeveri mund të rrëzojë me mocion mosbesimi. Si duhet të veprojë opozita për ta çuar vendin në zgjedhje të reja?
Sejdiu: Dita-ditës po shohim bashkërendim të qëllimeve të opozitës. Mirëpo, natyrisht, subjektet opozitare mund të kenë ide të ndryshme se si mund të arrihen ato qëllime të përbashkëta, dhe kjo pasuron opozitarizmin që është bërë dhe do të vazhdojë të bëhet. Koordinimet opozitare vazhdojnë të bëhen derisa të arrihet qëllimi përfundimtar, që janë zgjedhjet e parakohshme dhe krijimi i një qeverie legjitime, që ngërthen në vete shumicën e votuesve shqiptarë të Kosovës, që nuk është peng i Beogradit dhe që, para së gjithash, bën përpjekje maksimale që ditë më të mira të vijnë për Kosovën.
Muhamet Koci