Protesta edhe në Bullgari, kërkohet doreheqja e qeverisë
Në mesin e pandemisë së koronavirusit, Bullgaria tronditet nga protestat anti-qeveritare. Mijëra vetë dolën në rrugët e kryeqytetit Sofje me thirrjet kundër ekzekutivit konservator të vendit.
Presidenti Rumen Radev kërkoi gjithashtu doreheqjen e qeverisë për të cilën tha se ka një sjellje “mafioze.
“Karakteri mafioz i qeverisë bullgare ka shkaktuar pakënaqësi tek secili në Bullgari, ndaj të gjithë kërkojnë tani respektimin e ligjeve”, deklaroi ai, duke treguar ëkshtu mbështetje me demonstruesit.
Në Bullgari është themeluar së fundi një “Konsens Anti-Mafia”, kundër korrupsionit dhe frikësimit të njerëzve, shtoi Radev, i cili i dërgoi një paralajmërim të fortë kryeministrit Boiko Borisov.
Shkaku i këtyre kërkesave për dorëheqje është bërë bastija dhe kontrollet e zyrave të dy bashkëpunëtorëve të lartë të presidentit, të cilët janë arrestuar përkohësisht. Radev thotë se përgjegjëse për këto bastisje është qeveria e Borisovit.
Ndalimi i dy personave në fjalë u justifikua me hetimet kundër korrupsionit dhe publikimit të sekreteve shtetërore. Por në publik, ai u pa si sulm ndaj presidentit e ngjalli zemëratën e tubuesve që thonë se qeveria po sulmon kreun e shtetit dhe jo oligarkët e vërtetë. Presidenti Radev është kritik i hapur i Borisovit, i cili deklaroi se nuk ka ndërmend ta lërë postin.
Sipas DW, Radev i cili ka mbështetjen e socialistëve në opozitë, ka kundërshtuar qeverinë nacional-konservatore dhe prokurorin Ivan Geshev për lidhje me oligarkët dhe sjellje antiligjore. Radev ka kërkuar dorëheqjen e tyre si “zgjidhja më e mirë”. Presidenti tha, se “BE ka nevojë për një Bullgari demokratike”, që lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend.
Geshev konsideron, se presidenti Radev ka shkelur Kushtetutën e vendit: “Bashkuesi i kombit po i lejon vetes sërish që të sulmojë autoritetet juridike dhe po bën presion të madh ndaj prokurorisë”, shkruan prokurori në twitter.
Kryeminisri Borisov ka reaguar përmes një videoje në Facebook dhe ka kërkuar dorëheqjen e presidentit Radev: “Ne në qeveri do të respektojmë vetëm përgjegjësitë tona dhe asgjë tjetër”, tha Borisov. Ai tha se Bullgaria do të përçahet nëse socialistët vijnë në pushtet.