Protesta kombëtare e opozitës mbahet më 12 korrik
Protesta kombëtare e opozitës do të mbahet më 12 korrik, ora 20:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa podiumi do të vendoset para Kryeministrisë.
Kjo është e para pas vendimit të Gjykatës së Apelit për t’i rikthyer vulën kryetarit të saj, Sali Berisha.
E gjitha, vjen në një situatë më të qetë brenda kampit opozitar, ku replikat në distancë tashmë po zhvillohen vetëm mes Berishës dhe ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Basha mbetet i vetmi ndër fraksionet e opozitës, i cili nuk është i unifikuar me qëndrimin e grupimit të Berishës dhe Gazment Bardhit.
Më herët, Basha i është përgjigjur kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili më parë ka deklaruar se ish-kryetari i partisë, e ka derën e mbyllur për çdo bashkëpunim të mundshëm në kampin blu.
Përmes një publikimi në media sociale, Basha shkruan se e kupton që Berishës i ka mbetur në dorë vetëm vula dhe se atij i duhet të rishpikë armiq të jashtëm e të brendshëm.
Teksa, e ka akuzuar rishtazi për pazare me kryeministrin Edi Rama, të cilën e etiketon si “goditjen më të rëndë ndaj demokratëve shqiptarë”.
“Asnjë mashtrim nuk e mbulon dot këtë pazar të turpshëm. Sot nuk ka shqiptarë që nuk e di që vula e PD-së u përdor si plaçkë në pazarin e radhës mes Ramës dhe Berishës”, theksoi Basha.
Më tej, shton: Berishës i duhet vula për t’i përdorur demokratët që ende i shkojnë nga pas si mburojë para drejtësisë, SHBA-së dhe Britanisë se Madhe, ndërsa, në këmbim, Rama mban pushtetin për të shtyrë llogaridhënien për korrupsionin që ka mbërthyer për fyti Shqipërinë.
Lidhur me këto parashtrime, ai thotë po ashtu se rrjedhimisht, dera e shtëpisë politike të Berishës, nuk është dera e demokratëve, “por e hallexhinjve të SPAK-ut dhe të dëshpëruarve për një karrige”.
“Ajo nuk është dhe as nuk do të jetë dera ime dhe as rruga e demokratëve dhe shqiptarëve që duan ndryshim”, përmbyll ai.
Çfarë tha Berisha më herët?
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka mbyllur tërësisht derën për një mundësi bashkëpunimi të mëtejshme mes tij dhe Lulzim Bashës, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ta rikthyer vulën e forcës së djathtë politike për nga grupimi i tij.
Gjatë një interviste online në Alb UK TV, një media e vogël drejtuar komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe, Berisha tha se për të gjithë deputetët e tjerë, të cilët ende nuk janë bashkuar me të, dera është e hapur. Por jo edhe për Lulzim Bashën.
Berisha e quajti Bashën si personi përgjegjës, i cili ndihmoi mazhorancën të instalojë sipas tij narkodiktaturën në vend.
“Ka deputetë që po kthehen, dera është e hapur. Basha i ka mbyllur vetes çdo derë veç asaj të banesës së turpit. Ai është një nga përgjegjësit për të gjithë procesin e instalimit të narkodiktaturës nga Rama sepse i hapi rrugën të veprojë në këtë mënyrë. Deputetët e tjerë e kanë derën e hapur”, tha ai.
Më 17 qershor, ishte vetë Basha, ai i cili e ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimin me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi këtij të fundit i kaloi zyrtarisht edhe vula e forcës së djathtë politike, por njëkohësisht humbi apelin për të hequr përcaktimin si non grata nga Britania e Madhe.
Sipas Bashës, nuk ka mundësi për bashkëpunime me hije të së shkuarës, teksa ai ka folur gjatë mbi çështjen për Zërin e Amerikës.
Më herët, përmes një komunikimi në media sociale, Basha akuzoi Berishës se ai thjesht është në pazar me kryeministrin Edi Rama dhe ai i detyrohet demokratëve një shpjegim se pse po e pengon opozitën shqiptare.
Teksa, vëmendjen gjatë intervistës me VOA-n, e përqendroi edhe te apelimi që do të bëjë për vulën e partisë dhe të ardhmen e tij politike.