Protesta kundër ceremonisë së Çmimit Nobel për Handken në Stokholm

10 dhjetor 2019 | 23:46

Qindra qytetarë janë tubuar të martën në mbrëmje në sheshin Normmalm në Stokholm për të protestuar ceremoninë e Çmimit Nobel të vitit 2019, ku çmimi për letërsinë iu nda shkrimtarit austriak Peter Handke.

Shumica e të tubuarve ishin qytetarë të Bosnjë e Hercegovinës, përfshirë anëtarët e shoqatës së njohur boshnjake “Nënat e Srebrenicës”, por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte edhe flamuri kombëtar i cili nuk mungoi në mesin e flamujve boshnjak.

Një fjalë rasti në këtë protestë ka mbajtur edhe Shqiptar Oseku, poet, nga Rrjeti Suedezo-Shqiptar.

“Nuk kam ardhur vetem, jam me ambasadoren e Kosovës, me ambasadorin e Shqipërisë, e ambasadorët e Bosnjës, të Kroacisë, të Turqisë, që refuzuan të hanë bukë e turp sonte. Ata zgjodhen sonte më mirë të rrinë me ne, ndaj ne u themi faleminderit. Një falenderim edhe për organizatorët e këtij takimi, që na mundësuan t’i dalim zot të vërtetës sonë, të vdekurve e të gjallëve tanë”, ka thënë Oseku, i cili është me prejardhje nga Gjakova.

 

“Rrugët e qytetit tim ishin si ato të Bosnjës. Burra e gra të vrarë, dhunime, fëmijë e pleq të masakruar. Por sonte këtu nuk dua të jem veç shqiptar. Sonte dua te jem edhe boshnjak. Dua të jem nga Sarajeva. Dua të jem nga Srebrenica. Nga Tuzlla. Nga Foca. Nga Jajce. Nga Bijelina. Nga Gorazhde. Sonte dua tē jem nga çdo pëllëmve e asaj Bosnje që e mbyten në gjak kriminelët të cilët i justifikon Peter Handke. Sonte jam edhe suedez, pse jam qytetar suedez tash sa dekada. Jam ketu me vajzën time që ka lindur në Suedi. Dhe si suedez dua të them atë që duhej ta thonte akademia suedeze sonte, sikur të mos ishte e mbytur në relativizem moral. Dua të them se me vjen turp, sa turp. Dhe dua t’ju them të gjithëve na falni: na falni që ju prekëm plagët. Ju falemnderit”, ka përfunduar fjalimin Shqiptar Oseku.

Ndërkaq po sonte fizikanja suedeze, Christina Doctare, ka njoftuar se do të kthejë çmimin Nobel për Paqe të fituar më 1988 për shkak të laureatit të sivjetmë të Nobelit për Letërsi, Peter Handke, i cili mohon gjenocidin në Bosnje dhe mbështet liderin e ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.

“Isha krenare me Akademinë suedeze, por tani gjithçka ndiej është turp dhe faj”, tha ajo gjatë një fjalimi para turmës protestuese në Stokholm derisa në sallën e koncerteve në Stokholm po i ndahej çmimi Handkes.

Ceremonia e Çmimit Nobel është mbajtur nën hijen e kritikave shkaku i vendimit për ndarjen e çmimit të letërsisë të këtij viti për Handke, një shkrimtari austriak që mohon gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës.

Atij iu nda Çmimi Nobel për Letërsi përkundër përkrahjes së tij të hapur për presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq në vitin 2006 në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë teksa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tërmet i fortë, 5.6 i shkallës rihter është regjistruar…