Protesta kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale mblodhi shumë protestues
Me sloganin “Jo në emrin tim”, në Prishtinë është protestuar sot kundër Gjykatës Speciale pas dënimit me 26 vjet burgim për krime lufte të ish-komandantit të UÇK, Salih Mustafa.
Protesta e së shtunës u organizua nga Partia Socialdemokrate (PSD).
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë.
Molliqaj ka thënë se duhet bashkuar për të mbrojtur luftën e UÇK-së, shkruan “Epoka e re”.
“UÇK-ja nuk mund të gjykohet. JO në emrin tim!”, ka thënë ai.
“Lufta për liri është shenja që ky është shteti jonë. Damkosja e kësaj lufte është sulm mbi Kosovën e pavarur. Edhe 23 vjet pas çlirimit, çlirimi po ka kosto”, tha ai.
Ai e ka quajtur absurd dënimin e Salih Mustafës.
“Shikoni aktgjykimin e kësaj gjykate ku thotë që duhet të dënohet komandant Cali është nëse viktima është vrarë nga plumbat e ushtrisë serbe. Kjo është e pritshme kur gjykata nuk e ka qëllim drejtësinë, por e ka qëllim dënimin e UÇK-së. Procesi i Speciales na ka nxjerrë edhe një mësim, liria mund të fitohet një herë, por duhet të mbrohet çdo ditë”, ka thënë Molliqaj.
Protestuesit në pankarta mbanin emrat e të paraburgosurve në Hagë dhe të UÇK-së.
Pjesë e protestës ishin edhe OVLUÇK-ja dhe deputetë të opozitës.
Pjesë e kësaj proteste ishte edhe publicisti Muhamet Mavraj.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVLUÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë Gjykata Speciale po gjykon vetëm shqiptarët, por jo krimet që i ka shkaktuar pushtuesi serb.
“Ajo po gjykon luftën tonë çlirimtare. Po e gjykon UÇK-në, duke e quajtur edhe si organizatë e përbashkët kriminale. Ata gjenden në Hagë sepse po gjykohet lufta jonë. Organizatat e veteranëve kanë qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale”, ka thënë Klinaku.