Protesta ndaj rritjes së çmimit të çimentos, ‘Sharrcem’-i reagon
Fabrika “Sharrcem” ka reaguar lidhur me rritjen e çmimit për prodhimin e çimentos pasi kjo kompani është prekur nga kostoja e lartë e energjisë elektrike në botë.
Sipas zyrtarëve të saj, po monitorohen nga afër zhvillimet në Kosovë me qëllim marrjen e masave të duhura.
“Duke pasur parasysh luhatjet e konsiderueshme të tregut që po shkaktohen nga zhvillimet gjeopolitike dhe nga kriza energjetike, fabrika për prodhimin e çimentos ‘Sharrcem’ po i monitoron nga afër trendët dhe zhvillimet në Kosovë, për t’i ndërmarrë më pas masat e duhura”, thuhet në reagim.
“Rritja e shpejtë e kostove në tregun energjetik pasqyrohet në sfida me kostot dhe menaxhimin e rrezikut për sektorët që kanë më shumë nevojë për energji, sikurse është industria e prodhimit të çimentos. Kjo ndikohet më tej nga fakti që fabrika ‘Sharrcem’ varet nga furnizimi me energji dhe niveli i përballueshmërisë së kostove nga tregu i hapur energjetik ndërkombëtar. Kjo rritje e paprecedentë e kostove mund të zbutet vetëm minimalisht me anë të përpjekjeve që po bën fabrika Sharrcem për të rritur efikasitetin dhe për të zvogëluar konsumin”, vijon reagimi.
“Sharrcem” thotë se pavarësisht kësaj, kompania do të vazhdojë operacionet dhe ta mbajë personelin në punë.
“Fabrika për prodhimin e çimentos ‘Sharrcem’ po përballet me këto sfida duke ndjekur politikë dinamike të çmimeve që të vazhdojë t’u shërbejë klientëve të vet, t’i vazhdojë operacionet dhe ta mbajë stafin në punë, duke i shtyrë përpara zotimet e veta në fushën e përgjegjësisë sociale korporative, pavarësisht klimës së pafavorshme aktuale të biznesit. Veç kësaj, fabrika ‘Sharrcem’ mbetet e përkushtuar ndaj agjendës së vet të dekarbonizimit për të sjellë ndikim pozitiv tek komunitetet të cilave u shërben dhe në mjedisin ku vepron”, përfundon kompania.